Vendosni fjalën kyçe....

Berisha nga Korça: Alarm nga Uashingtoni për korrupsionin e qeverisë Rama


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me mbështetësit dhe strukturat e PD-së në qytetin e Korçës, ku ka mbajtur një fjalim me tone të forta politike, duke u ndalur te situata e qeverisjes në vend dhe zhvillimet e fundit në arenën ndërkombëtare.

Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vijnë, sipas tij, “sirenat e alarmit” për korrupsionin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe lidhjet e saj me krimin e organizuar.

Ai iu referua konkretisht Aktit për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, të miratuar nga Kongresi amerikan.

“I dëgjoni tani sirenat e alarmit që bien nga Uashingtoni për korrupsionin e qeverisë së Ramës dhe lidhjen e saj me krimin? Ne triumfuam”, u shpreh Berisha përpara mbështetësve.

Lideri demokrat theksoi se Partia Demokratike ka arritur të mbijetojë dhe të qëndrojë e fortë edhe në periudhat më të vështira.

Sipas tij, pavarësisht përpjekjeve për ta dobësuar apo eliminuar politikisht opozitën, PD ka mbrojtur vlerat themelore.

“Ne jo vetëm që nuk u zhdukëm, por mbrojtëm lirinë, dinjitetin dhe kauzën e çdo shqiptari, në kushtet më të vështira, kur bëhej gjithçka kundër nesh”, deklaroi Berisha.

Ai tha se sot opozita ndodhet në një fazë të re dhe më të qartë politike, duke theksuar se Partia Demokratike është më e vendosur se kurrë më parë.

“Sot jemi më të kthjellët dhe më të vendosur se kurrë në histori”, u shpreh Berisha, duke shtuar se PD, sipas tij, ka paraqitur mijëra dokumente para opinionit dhe faktorëve ndërkombëtarë për të faktuar se kryeministri Rama është “armik i votës së shqiptarëve”.

Në vijim të fjalimit, Berisha akuzoi qeverinë se nuk organizon zgjedhje të lira dhe të ndershme, por vetëm procese që i cilësoi si farsë elektorale.

“Ai nuk zhvillon zgjedhje, por vetëm farsë elektorale, dhe kjo është një arritje e jashtëzakonshme, sepse na jep të drejtë të kërkojmë ndëshkimin që meriton”, tha kreu i PD-së.