
Kreu i PD-së Berisha pohoi mbrëmjen e sotme se ka besim te rikthimi në pushtet.
I ftuar në podcastin Elevate të zëdhënëse së tij, Floriana Garo, ai tha se nëse mbahen zgjedhje të lira e të ndershme, PD-ja e drejtuar prej tij fiton.
Lidhur me shpalljen non grata, Berisha tha se ishte lobim i Edi Ramës dhe Xhorxh Sorosit dhe se do bëjë gjithçka për të mbrojtur dinjitetin.
“Ata që erdhën me rebelim i përzura me votën e lirë. Erdha me një program që ndryshova Shqipërinë. U ndjeva i përkushtuar. Do vazhdoja reformën. Kisha besuar. Sikundër besoj dhe sot. Patjetër. Le të bëjnë zgjedhje të lira dhe ta shikojmë kush fiton. Vetëm mision. Qeverisja është mision. Anëtarësimi në NATO, mision. Infrastruktura mision. Edhe diktatorin e përzumë me votë. Ekziston diçka. Kisha jetuar në diktaturë, një nga mësimet ishte se qëndrimi në kohë të gjatë në karrige nuk është i dobishëm për vendin. Edhe sot e mendoj. Kam dhënë dorëheqjen. Pa ndonjë keqardhje të madhe. Mendova se unë përmbusha. Shpallja ime non grata ishte një rrufe në qiell të hapur. Më kishte thënë Rama po censurohesh, se ke dekonspiruar kundër politikës së jashtme të SHBA-së. Vendimi ishte për korrupsion dhe minim të demokracisë. Ishte një fyerje e rëndë për dinjitetit tim. Ishte beteja për dinjitetin tim. Kur ata kërkuan të mos hyj në parlament. Atë se bënë dot. Kur në tërbim, Yuri Kim bënte çdo gjë që të kontrollonte Lulzim Bashën si kryetar partie. Kjo nuk mund të ndodhte. U vendosëm në një izolim të paprecedent. Nga burokratë të korruptuar europianë dhe botëror. Ne ia dolëm dhe do ia dalim. Është kauzë e drejtë. Për të qenë i suksesshëm duhet të ketë moral dhe empati. Jashtë moralit dhe empatisë e kam të vështirë të mendoj.”, tha Berisha.