
Shpenzimet e sektorit bankar për personelin po rriten për të pestin vit radhazi.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, shpenzimet për personelin gjatë 9-mujorit 2025 arritën në më shumë se 14.4 miliardë lekë, në rritje me 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024 dhe në nivelin më të lartë regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit.
Të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave treguan se në fund të muajit shtator bankat raportuan 7 445 të punësuar, në rritje me 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Shtimi i numrit të punësuarve duket se ka ndikuar në rritjen e shpenzimeve të personelit, por megjithatë efektin më të madh po vazhdon ta japë rritja e pagave.
Sipas të dhënave të INSTAT, për tremujorin II 2025, paga mesatare bruto në sektorin financiar arriti nivelin rekord prej afërsisht 175 mijë lekësh në muaj, në rritje vjetore me 5.3%.
Procesi i konsolidimit të sektorit bankar, deri në vitin 2019, solli përkohësisht edhe një rënie të shpenzimeve të personelit. Por, në vitet pas pandemisë, ky zë i shpenzimeve i është kthyer rritjes me ritme të përshpejtuara dhe ka arritur nivelet më të larta historike.
Sektori bankar dhe financiar është përballur me trysni në rritje nga tregu i punës, sidomos në pozicionet e nivelit të ulët dhe të mesëm, duke i detyruar këto institucione të rishikojnë në rritje pagat.
Rritja e pagave sidoqoftë është mbështetur edhe nga performanca pozitive e sektorit dhe rritja e fitimeve të vitet e fundit. Bankat po vazhdojnë të shfrytëzojnë efektin e rritjes së normave të interesit, por megjithatë ky efekt gradualisht po zbehet dhe rritja e të ardhurave neto nga interesat është frenuar këtë vit.
Këta faktorë kanë sjellë edhe një ulje të fitimit. Fitimi neto i sektorit bankar për 9-mujorin 2025 arriti vlerën e 26.2 miliardë lekëve, në rënie me 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në vitet e fundit, ekonomia shqiptare është përballur me rritje të ndjeshme të kostos së punës, të shkaktuar kryesisht nga tendencat negative demografike, emigracioni i të rinjve dhe konkurrenca nga tregjet e huaja në tërheqjen e forcës së specializuar të punës.
Në raportin e politikës monetare për tremujorin e katërt të vitit, Banka e Shqipërisë vlerëson se presionet e brendshme inflacioniste janë forcuar, në pasqyrim të zgjerimit të aktivitetit ekonomik, kushteve të shtrënguara në tregun e punës, si dhe rritjes së çmimit të qirave. / E.Shehu
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor