
Një situatë kaotike është regjistruar në aeroportin e Bergamos, ku prej më shumë se dy orësh mijëra pasagjerë mbahen të bllokuar para kontrollit të pasaportave.
Sipas informacioneve të siguruara, fluksi i udhëtarëve është përqendruar në zonën e kontrollit kufitar, ku radhët janë tepër të gjata dhe lëvizja pothuajse e paralizuar. Pasagjerët raportojnë vonesa të konsiderueshme, mungesë informacioni dhe pamundësi për të vijuar udhëtimin sipas orareve të planifikuara.
Situata është cilësuar si skandaloze nga udhëtarët, të cilët shprehin shqetësime për kushtet dhe menaxhimin e dobët të fluksit. Në pamje duken qartë turma të mëdha njerëzish të grumbulluar, pa orientim dhe pa ndërhyrje efektive nga autoritetet e aeroportit.
Ende nuk ka një reagim zyrtar nga administrata e aeroportit të Bergamos lidhur me shkaqet e bllokimit, ndërsa udhëtarët kërkojnë zgjidhje të menjëhershme dhe përmirësim të kushteve.
Ngjarja vjen në një periudhë me lëvizje të lartë udhëtarësh, për shkak të periudhës së fundvitit.