Vendosni fjalën kyçe....

Merz i izoluar në Evropë: A do nxjerrë mësim nga turpërimi në samitin e BE-së


Jehona ndërkombëtare ndaj humbjeve që Kancelari Federal Friedrich Merz pësoi në samitin e BE-së në Bruksel është shkatërruese. Që në mbrëmje u bë e qartë se Merz kishte humbur rrugën plotësisht.

Faqja e lajmeve nga Brukseli, Euractiv, shkroi gjatë natës, kur u bë e qartë se Merz kishte vënë bast në “kalin e gabuar”: “Nëse Merz lëshon pe dhe pranon një marrje të përbashkët borxhi për Ukrainën, ai mund të kthehet i poshtëruar në Berlin.“

Pak më vonë, humbja e Merz u vulos: kërkesa e tij për të përdorur pasuritë e ngrira shtetërore ruse për financimin e Ukrainës u hodh poshtë. Në vend të kësaj, do të ketë borxhe të përbashkëta. Më herët, Merz dështoi të imponohej edhe për marrëveshjen e Mercosur-it.

Merz nuk kishte Plan B

Revista amerikane Politico shkroi: “Mezi mbahet mend një samit i BE-së më i pasuksesshëm për një Kancelar gjerman. Brenda pak orësh, Merz pësoi dy humbje të rënda: shtyrjen e marrëveshjes Mercosur dhe, akoma më rëndë, dështimin e planit për përdorimin e aseteve të ngrira ruse, të cilin ai e shtyu përpara me forcë.“

Gazeta italiane La Repubblica: “Një humbje politike për Ursula von der Leyen dhe Friedrich Merz, të cilët deri në fund këmbëngulën në përdorimin e burimeve nga pasuritë e Moskës…. Von der Leyen dhe Merz duhet të pranojnë dyshimet që u ngritën lidhur me asetet e ngrira dhe të pranojnë kredinë klasike.“

Financial Times analizon: “U tha se nuk kishte Plan B. Derisa u desh të kishte një të tillë.“

Sipas FT, „kompleksiteti i propozimit trembi edhe krerët e shteteve dhe qeverive dashamirëse“. Plani ishte i dënuar me dështim që në fillim, tepër teknik dhe i paqartë: “Dukej si një pritë.“

Ultimatumet e Merz shpërfillen

Edhe brenda vendit ka kritika ndaj Merz. Handelsblatt shkruan: “Deklaratat e ashpra nga Kancelaria nuk dhanë efekt. Më pas, Merz u përpoq të zbukuronte humbjen e tij të dyfishtë: Marrëveshja Mercosur do vijë vetëm dy javë më vonë dhe Ukraina do marrë 90 miliardë eurot e nevojshme. Ai foli për një ‘sukses vërtet të madh’. Kjo mund të jetë e saktë nga pikëpamja e rezultatit final. Megjithatë, autoriteti i Merz në Evropë është dëmtuar pas këtij samiti. Ultimatumet e tij po shpërfillen haptazi.“

Banke Qendrore Evropiane si troll i Putinit?

Deri në fund, Merz u përpoq të lëvdonte avantazhet e një shpronësimi de-facto të pasurive ruse, duke minimizuar rreziqet. Por prej javësh, nga Euroclear te Banka Qendrore Evropiane, nga Uashingtoni te Pekini, ishin ngritur zëra paralajmërues që nuk mund të etiketoheshin thjesht si „trolle të Putinit“.

Edhe kur Banka Qendrore ruse ngriti padi kundër Euroclear dhe agjencia e vlerësimit Fitch lëshoi një paralajmërim, Merz i qëndroi linjës së tij. Ai ishte përpjekur më parë të ushtronte presion me një fushatë PR të modës së vjetër. Por reklamat në FAZ dhe FT nuk bënë përshtypje te askush. Faktet ishin kundër Merz dhe kundër Ursula von der Leyen, e cila gjithsesi filloi të distancohej nga ai sapo u bë e qartë: Kancelari është i izoluar në Evropë.

Strack-Zimmermann nuhat konspiracion

Ai gjithsesi nuk është vetëm: Politikania e BE-së dhe e televizioneve, Agnes Strack-Zimmermann nga FDP (parti që së fundmi doli nga Bundestagu), tha për WDR se dështimi i Merz tregon “se presioni i Rusisë dhe presioni i SHBA-së, të cilët mjerisht po tërheqin në një litar, ende ka efekt në Evropë. Kishte shqetësim – siç dëgjova edhe unë sot në mëngjes – për hakmarrjen e Putinit. Kjo tregon se dora e gjatë e Putinit arrin deri në Evropë.“

Strack-Zimmermann nuk dorëzohet: “Pas përfundimit të luftës, asetet e ngrira ruse mund të përdoren si dëmshpërblime, nëse Rusia nuk dëshiron të paguajë. Rusia ka „shumë para në Evropë dhe te ato para nuk mund të qasen më definitivisht“.

Paratë e taksapaguesve evropianë ndoshta kanë humbur

Gjithsesi, do të jetë e vështirë edhe për taksapaguesit evropianë që t’i marrin mbrapsht ndonjëherë ato 90 miliardë euro që tani po shkojnë si kredi për Ukrainën, dhe për të cilat garanton buxheti i BE-së.

Sepse Ukraina duhet t’i kthejë paratë vetëm nëse Rusia paguan dëmshpërblime. Ka dyshime se kjo do ndodhë ndonjëherë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi ndihmën miliarda eurosh si një “fitore të madhe“ për vendin e tij.

Presidenti i Këshillit të BE-së, António Costa, tha në deklaratën përfundimtare të samitit se BE-ja do qëndrojë gjithmonë në anën e Ukrainës, si në luftë ashtu edhe në paqe. Costa nuk dha asnjë tregues nëse kreditë e reja janë të lidhura me kushte, si për shembull për parandalimin e korrupsionit. Synimi është që Rusia të kuptojë se nuk do fitojë këtë luftë, në asnjë mënyrë.

VINI RE: Ky materrial është pronësi intelektuale e Berliner Zeitung