
Ministria e Jashtme e Kinës njoftoi të premten se ka vendosur sanksione ndaj 10 individëve dhe 20 kompanive amerikane të mbrojtjes, përfshirë degën e Boeing në St. Louis, për shkak të shitjeve të armëve drejt Tajvanit.
Sipas njoftimit të ministrisë, masat parashikojnë ngrirjen e çdo aseti që kompanitë dhe individët e sanksionuar mund të kenë në Kinë, si dhe ndalimin e organizatave dhe individëve vendas për të kryer veprimtari biznesi me ta, përcjell Reuters.
Në listën e individëve të sanksionuar përfshihet themeluesi i kompanisë së mbrojtjes Anduril Industries, si edhe nëntë drejtues të lartë të kompanive të prekura nga masat. Të gjithë ata ndalohen gjithashtu të hyjnë në territorin e Kinës.
Mes kompanive të tjera të sanksionuara janë edhe Northrop Grumman Systems Corporation dhe L3Harris Maritime Services.
Ky vendim vjen pas njoftimit të Uashingtonit javën e kaluar për një paketë shitjesh armësh ndaj Tajvanit me vlerë 11.1 miliardë dollarë, paketa më e madhe ndonjëherë e armëve amerikane për ishullin, e cila ka shkaktuar reagim të ashpër nga Pekini.
“Çështja e Tajvanit është thelbi i interesave thelbësore të Kinës dhe vija e parë e kuqe që nuk mund të kapërcehet në marrëdhëniet Kinë–SHBA,” tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze në një deklaratë të premten.
“Çdo veprim provokues që kapërcen këtë vijë në çështjen e Tajvanit do të përballet me një reagim të fortë nga Kina,” thuhet më tej në deklaratë, ku Shteteve të Bashkuara u kërkohet të ndalojnë përpjekjet “të rrezikshme” për të armatosur ishullin.
Kina e konsideron Tajvanin, i cili qeveriset në mënyrë demokratike, si pjesë të territorit të saj, një pretendim që autoritetet në Taipei e hedhin poshtë.
Shtetet e Bashkuara janë të detyruara me ligj t’i sigurojnë Tajvanit mjetet për t’u vetëmbrojtur, megjithëse këto shitje armësh mbeten prej kohësh një burim i vazhdueshëm tensioni mes Uashingtonit dhe Pekinit.