
Tiranë, Dhjetor 2025 – Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, inspektoi kantierin e punimeve të Institutit për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve në Mëzez, Tiranë, duke konfirmuar se projekti do të përfundojë brenda vitit 2026.
Ky institucion, i pari i këtij lloji në vend, synon të ofrojë një shans të dytë për të miturit në konflikt me ligjin, duke vendosur në qendër rehabilitimin, edukimin dhe riintegrimin social.
“Ky është një investim madhor i shtetit shqiptar, i konceptuar për të ofruar shërbime të specializuara për çdo tipologji vepre penale dhe për çdo rast specifik të të miturve,” u shpreh Lamallari, duke theksuar se instituti do të përbëhet nga 7 objekte multidisiplinare.
Sipas tij, riintegrimi social i të miturve do të realizohet përmes arsimimit, mbështetjes psikologjike dhe formimit profesional, duke u krijuar mundësi reale për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt dhe për t’u kthyer në kontribuues aktivë të shoqërisë.
“Ne synojmë të ofrojmë jo vetëm rehabilitim, por edhe orientim dhe mbështetje për të gjithë zinxhirin ndërinstitucional të drejtësisë për të mitur,” shtoi ministri.
Ky projekt është pjesë e vizionit për forcimin e standardeve të drejtësisë për të mitur, në përputhje me praktikat më të mira europiane dhe angazhimin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian. Instituti pritet të shërbejë si një pikë referimi për politikat e reja të rehabilitimit dhe edukimit, duke vendosur Shqipërinë më pranë standardeve të vendeve të BE-së.