
Për shkak të protestës së fermerëve në Greqi, aksi rrugor Kakavijë–Janinë do të jetë i bllokuar për qarkullimin e automjeteve sot nga ora 18:00 deri në orën 21:00 (me orën shqiptare).
Policia Kufitare e Kakavijës njofton se bllokimi do të ndodhë në kryqëzimin e fshatit Kallpaq dhe do të lejohet vetëm qarkullimi i mjeteve që kanë emergjenca shëndetësore. Njoftimi është bërë pas informacionit të marrë nga Policia Kufitare Greke përmes qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit.
Autoritetet kufitare u bëjnë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe i këshillojnë të planifikojnë udhëtimet e tyre në orare të tjera, për të shmangur vonesat dhe vështirësitë në qarkullim.
Protestat e fermerëve në Greqi kanë vijuar prej rreth katër javësh, duke bllokuar akse të rëndësishme rrugore në vend. Ata kërkojnë zgjidhje lidhur me vonesat e subvencioneve të Bashkimit Evropian, pas një skandali korrupsioni, dhe paralajmërojnë se protestat do të vijojnë nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.