
Pas një procesi të gjatë konsultimesh mes prokurorëve nga të gjitha zyrat e prokurorisë në vend, është themeluar Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë. Shoqata është krijuar në përputhje me ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe do të funksionojë si organizatë profesionale, jofitimprurëse dhe e pavarur.
Kjo është organizata e parë e këtij lloji që themelohet pas zbatimit të Reformës në Drejtësi, duke vepruar brenda kornizës së re kushtetuese dhe ligjore të sistemit prokurorial.
Shoqata synon të shërbejë si një strukturë e qëndrueshme dhe referuese për çështjet që lidhen me statusin, funksionin dhe problematikat e prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. Në kushtet kur sistemi i drejtësisë përballet me sfida të vazhdueshme, krijimi i saj vlerësohet si një hap drejt një qasjeje më të organizuar dhe aktive të trupës së prokurorëve.
Misioni kryesor i Shoqatës së Prokurorëve është garantimi dhe mbrojtja e statusit, pavarësisë dhe integritetit të prokurorëve, si dhe promovimi i rolit të tyre në funksionimin e shtetit të së drejtës dhe të një shoqërie demokratike.
Shoqata do të angazhohet gjithashtu në proceset ligjbërëse dhe vendimmarrëse që lidhen me sistemin e drejtësisë, përmes dhënies së kontributeve profesionale dhe mbajtjes së qëndrimeve institucionale, si dhe do të nxisë dialogun dhe bashkëpunimin me institucionet shtetërore, shoqërinë civile dhe median.
Në përbërje të saj janë prokurorë nga të gjitha zyrat e prokurorive në vend. Kryetar i Shoqatës së Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë për mandatin e parë është zgjedhur prokurori Gëzim Spahiu.