Vendosni fjalën kyçe....

Përplasje në PD, Salianji ndaj Nokës: Aksidenti më i madh politik në 35 vite



Përplasjet dhe akuzat mes Flamur Nokës dhe Ervin Salianjit po vijojnë prej ditësh në distancë, që nga momenti kur ish-deputeti demokrat nisi turin e foltoreve. Në qendër të konfliktit është përfshirë emri i Suel Çelës, një personazh i njohur i botës së krimit, i cili është shndërruar në “mollën e sherrit” mes dy figurave të Partisë Demokratike.

Reagimi i fortë i Salianjit vjen pas një deklarate televizive të Flamur Nokës, i cili tha se Ervin Salianji nuk është më pjesë e Kryesisë dhe asnjë strukture të PD-së, duke e akuzuar se ka organizuar një takim në Elbasan me Suel Çelën, Ergys Agasin dhe Ben Qimen.

Në një status të gjatë në rrjetet sociale, Salianji i mohon kategorikisht këto akuza dhe i rikthen Nokës akuzat për lidhjet e tij me Suel Çelën, duke e cilësuar numrin 2 të PD-së si përgjegjësin kryesor për gjendjen aktuale të opozitës.

“Flamur Noka është aksidenti më i madh politik në 35 vite PDSH dhe arsyeja ulëritëse se pse kjo parti ka nevojë urgjente për reformim”, shkruan Salianji, duke shtuar se Noka është produkt i një politike të pistë, të bazuar në pazare, interesa personale dhe shitje parimesh.

Salianji thekson se në mbledhjen e Kryesisë i ka kërkuar drejtpërdrejt dorëheqjen Flamur Nokës, duke e bërë përgjegjës për disfatat e njëpasnjëshme elektorale të Partisë Demokratike në vitet e fundit.

“Është akuzuar publikisht nga kolegë për lidhje me krimin e organizuar, përfshirë Suel Çelën. Sot, një gazetar opozitar dha dëshmi publike për takime të Mulit me Suel Çelën”, shkruan Salianji, duke publikuar edhe një fragment nga emisioni “Jashtë Kontrolli”, ku gazetari Almer Toska deklaron se Suel Çela i ka “zgjidhur hall jete” Flamur Nokës.

Ish-deputeti përmend gjithashtu denoncimet e bëra në Kukës, ku sipas tij, Noka ka shitur interesat e Partisë Demokratike për përfitime personale, duke e bërë atë “non grata politike” për demokratët e atij qarku.

Në reagimin e tij, Salianji aludon edhe për lidhje të Flamur Nokës me biznesmenin Ergys Agasi, i shpallur në kërkim nga SPAK në lidhje me dosjen e AKSHI-t.

“Për lidhjet me Ergys Agasin prisni dhe pak dhe do t’i shihni: bizneset, ortakëritë dhe bashkëpunimet. E vërteta ka këtë zakon: del gjithmonë”, shkruan Salianji.

Ai e mbyll reagimin duke theksuar se nuk ka asnjë lidhje me botën e krimit dhe se sulmet ndaj tij janë dëshmi se ndodhet “në rrugën e duhur” në luftën kundër krimit dhe karteleve politike.