Vendosni fjalën kyçe....

“Je aksidenti më i madh politik në 35 vitet e PD-së, humbës serial” – Salianji i përgjigjet Nokës


Ervin Salianji e ka cilësuar Flamur Nokën si “aksidentin më të madh politik në 35 vitet e Partisë Demokratike”, duke e akuzuar për lidhje me krimin e organizuar dhe për shërbim të drejtpërdrejtë ndaj regjimit të Edi Ramës.

Sipas Salianjit, Noka përfaqëson një figurë që ka shitur parimet dhe interesat politike për përfitime personale dhe pushtet, duke kontribuar në largimin e qytetarëve, intelektualëve dhe profesionistëve nga Partia Demokratike.

Ai e përshkruan Nokën si një “humbës serial”, duke denoncuar njëkohësisht lidhjet e tij me banda kriminale dhe pazaret e errëta me ministra dhe eksponentë të qeverisë.

Salianji thekson se Partia Demokratike ndodhet përballë një nevoje urgjente për reformim të thellë, pastrim dhe shkëputje nga figura që, sipas tij, janë të lidhura me korrupsionin, interesat e ngushta dhe praktikat që kanë dëmtuar rëndë besimin publik ndaj opozitës.

“Flamur Noka është aksidenti më i madh politik në 35 vite PDSH dhe arsyeja ulëritëse se pse kjo parti ka nevojë urgjente për reformim!

Ai nuk është thjesht një gabim politik, as vetëm idiot apo i përdorur si gojëprishur për të zhvendosur vëmendjen! Ka njerëz që mbajnë flamurin për ideal. Ka edhe nga ata që e përdorin Flamurin pa ideal për të goditur kë t’u dalë përpara.

Ai është produkt i qëllimshëm i politikës së pistë: pazare, shërbime, nënshtrim dhe tregti interesi. Një figurë që ka shitur gjithçka që ka pasur mundësi: parime, njerëz, zona, zgjedhje, mjafton të ketë pak pushtet dhe përfitim personal.

Modeli i tij mban shumë qytetarë larg politikës dhe shumë profesionistë larg Partisë Demokratike. Por nuk do e lejoj.

Është akuzuar publikisht nga kolegë për lidhje me krimin e organizuar, përfshirë Suel Çelën. Sot, një gazetar opozitar dha dëshmi publike për takime të Mulit me Suel Çelën. Po e postoj videon

Si kjo ka dhe akuza të drejtpërdrejta për pazare me ministra, për shërbim ndaj oligarkëve dhe për rol aktiv në mbajtjen në këmbë të regjimit të Edi Ramës.

Në Kukës u denoncua nga kandidati ynë se shiti bashkinë për interesa të ulëta, duke hapur rrugë Safet Gjicit dhe rrethit kriminal që e shoqëronte. Për këtë arsye është non grata nga demokratët e Kukësit. Non grata politike mes atyre që i tradhtoi.

Një humbës serial, fytyra e dështimit në çdo palë zgjedhje që nga viti 2013, por gjithmonë fitues në pazare personale.

Kam disa ditë që duroj baltën për hir të demokratëve, me bindjen se duhet të heshtim për t’i qëndruar përballë qeverisë por disa si ky paskan interesin e kolltukut jo të demokratëve! Personalisht vetëm kam denoncuar bandat e kartelet nga jugu në veri e kur më akuzon për lidhje me krimin një njeri si Flamuri që nuk kalon dot as kufijtë, as det e as oqean për shkak të këtyre lidhjeve, për shkak të korrupsionit, grabitjes së pronave të të varfërve, apartamenteve të të pastrehëve dhe tregtisë së vendeve të punës, nuk është sulm por dëshmi që jam në rrugën e duhur! Një medalje nderi në luftën kundër krimit dhe karteleve kriminale e politike.

Për lidhjet me Ergys Agasin prisni dhe pak dhe do t’i shihni: bizneset, ortakëritë dhe bashkëpunimet. E vërteta ka këtë zakon: del gjithmonë dhe nuk pyet as për zhurmë, as për mbrojtje politike.

Sa më përket mua, zero lidhje me këtë kategori. Kaq për sot. Pas çdo përmendjeje tjetër do të sjell dëshmi, fakte dhe do të demaskoj çdo pacipësi që thuhet.”