
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUV) ka njoftuar se, përmes Komisionit Evropian dhe Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), ka pranuar një njoftim për një rrezik serioz që lidhet me produktin ushqimor qumësht për fëmijë APTAMIL.
Sipas njoftimit, në këtë produkt është identifikuar prania e bakteries Bacillus cereus, ndërsa autoritetet evropiane kanë kërkuar tërheqjen e menjëhershme të tij nga tregu.
“Duke marrë parasysh se niveli i rrezikut është vlerësuar si serioz, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në përputhje me procedurat e sistemit RASFF, është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për gjurmueshmërinë dhe tërheqjen nga tregu të produktit APTAMIL me lot nr. 111444865, i importuar nga Mbretëria e Holandës nga kompania UNION SH.P.K., Vushtrri”, thuhet në njoftimin e AUV.
AUV thekson se mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe të gjithë zinxhirit ushqimor, duke zbatuar masa parandaluese dhe kontrolluese, me qëllim garantimin e ushqimit të sigurt dhe të shëndetshëm për konsumatorët në Republikën e Kosovës, në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të sigurisë ushqimore.