
Një avion i Marinës Meksikane, i cili transportonte pacientë me djegie drejt një spitali në shtetin e Teksasit, u rrëzua të hënën në ujërat e Gjirit të Galvestonit, duke shkaktuar vdekjen e të paktën pesë personave, njoftuan autoritetet për DW.
Sipas Marinës Meksikane, në avion ndodheshin gjithsej tetë persona, mes tyre katër oficerë të marinës dhe katër civilë, përfshirë edhe një fëmijë. Avioni ishte duke transportuar pacientë me djegie drejt spitalit Shriners Children’s Hospitalnë Galveston.
Avioni, i tipit King Air ANX-1209, ishte nisur nga qyteti Merida, në shtetin Jukatan të Meksikës, dhe kishte si destinacion Galveston Scholes International Airport. Fluturimi ishte pjesë e një misioni mjekësor të koordinuar me Fondacionin Michou and Mau, i cili organizon transportin emergjent të fëmijëve me djegie të rënda drejt këtij spitali.
Autoritetet amerikane bëjnë me dije se rrëzimi ndodhi teksa avioni po i afrohej Galvestonit. Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta dhe janë nën hetim.
Në vendngjarje kanë mbërritur ekipe nga Administrata Federale e Aviacionit (FAA) dhe Bordi Kombëtar për Sigurinë e Transportit (NTSB), ndërsa Zyra e Sherifit të Qarkut Galveston ka angazhuar ekipe zhytjeje, hetues të vendit të ngjarjes, dronë dhe patrulla policore për operacionet e kërkim-shpëtimit dhe hetimit.