
Katër persona janë arrestuar dhe gjashtë të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, në lidhje me ngjarjet e ndodhura gjatë protestës së opozitës të zhvilluar dje përpara Kryeministrisë.
Sipas policisë, pas përfundimit të fjalimit të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, disa protestues hodhën bomba molotov në drejtim të derës së Kryeministrisë, duke shkaktuar zjarr në ambientet e jashtme të godinës.
Gjatë protestës pati edhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Si pasojë e shpërthimit të molotovit, raportohet se janë lënduar dy efektivë policie, ndërsa një simpatizant i opozitës u përfshi nga flakët e lëndës ndezëse.
Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në aktet e dhunës gjatë protestës.