Vendosni fjalën kyçe....

Ministri izraelit i Mbrojtjes mohon planin për ripopullimin e Gazës


Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, mohoi të martën se qeveria izraelite ka ndonjë plan për të ripopulluar Rripin e Gazës, pas deklaratave të mëparshme që u interpretuan si sinjal për rikthimin e vendbanimeve izraelite në enklavën palestineze.

Katz, duke folur në një vendbanim izraelit në Bregun Perëndimor të pushtuar, deklaroi se ushtria izraelite nuk do të largohet kurrë plotësisht nga Gaza dhe se planifikohet vendosja e njësive ushtarake të tipit “Nahal”, të cilat historikisht kanë pasur rol edhe në krijimin e komuniteteve izraelite, përfshirë vendbanimet, përcjell Reuters.

Pas raportimeve të mediave izraelite se këto komente nënkuptonin një plan për ripopullimin e Gazës, nga e cila Izraeli i çmontoi vendbanimet në vitin 2005, Katz sqaroi me një deklaratë zyrtare se “qeveria nuk ka asnjë qëllim për të ngritur vendbanime civile në Rripin e Gazës”.

Sipas planit të paqes të mbështetur nga SHBA-ja, i nënshkruar nga Izraeli dhe Hamas në tetor, ushtria izraelite do të tërhiqet gradualisht plotësisht nga enklava bregdetare dhe Izraeli nuk do të rivendosë vendbanime civile atje. Megjithatë, marrëveshja parashikon një “prani izraelite të perimetrit të sigurisë” që do të mbetet derisa Gaza të konsiderohet e sigurt nga çdo kërcënim i mundshëm terrorist.

Nga ana tjetër, Hamas reagoi ashpër. Zëdhënësi i tij, Hazem Qassem, tha se deklaratat e Katz përbëjnë “shkelje të qartë të marrëveshjes së armëpushimit” dhe bien “plotësisht ndesh me planin e paqes të Presidentit Trump”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka përjashtuar disa herë publikisht mundësinë e rikthimit të vendbanimeve në Gaza gjatë dy viteve të luftës, ndonëse disa anëtarë ultranacionalistë të koalicionit të tij kanë bërë thirrje për riokupimin e enklavës.

Deklaratat e Katz u bënë në vendbanimin Beit El, pranë Ramallahut, ku ai njoftoi ndërtimin e 1.200 njësive të reja banimi.

“Kur të vijë koha, në veri të Gazës… do të vendosim njësi Nahal (ushtarake) në vend të komuniteteve izraelite që u zhvendosën. Kjo do të bëhet në mënyrën e duhur dhe në kohën e duhur”, u shpreh ai.

Në sqarimin e mëvonshëm, Katz theksoi se referenca ndaj njësive Nahal ishte “vetëm në kontekst sigurie”.

Këto zhvillime nxjerrin në pah vështirësitë që po has plani i paqes i Presidentit amerikan Donald Trump për Gazën, përpara takimit të tij të paralajmëruar javën e ardhshme me Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë.

Plani i Trump çoi në arritjen e armëpushimit në tetor dhe në lirimin e pengjeve të mbetura gjallë, të rrëmbyera gjatë sulmeve të udhëhequra nga Hamas më 7 tetor 2023 në Izraelin jugor.

Megjithatë, përparimi drejt objektivave të tjerë ka qenë i kufizuar. Hamas ka refuzuar deri tani të çarmatoset, siç parashikon plani, i cili gjithashtu synon krijimin e një autoriteti tranzitor dhe vendosjen e një force shumëkombëshe në Gaza.

“Ne jemi thellë brenda Gazës dhe nuk do të largohemi kurrë plotësisht. Kjo nuk do të ndodhë. Ne jemi atje për të mbrojtur dhe për të parandaluar përsëritjen e asaj që ndodhi”, deklaroi Katz, duke shtuar se Izraeli nuk i beson askujt tjetër mbrojtjen e qytetarëve të tij dhe se ka nevojë për prani sigurie edhe në Liban dhe Siri.