Vendosni fjalën kyçe....

190 medalje ari për nxënësit ekselentë / Rama: Në majë arrijnë ata që nuk dorëzohen


190 nxënës nga shkollat e të gjithë vendit, të cilët kanë përfunduar studimet me rezultate të shkëlqyera, u nderuan të martën me medalje ari në ceremoninë “Kampionët e Dijes”, të organizuar nga Kryeministria.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama theksoi se ky vit shënon numrin më të lartë të medaljeve të arta që nga krijimi i këtij eventi, duke e lidhur këtë rezultat edhe me rritjen e numrit të të rinjve shqiptarë që pranohen në universitete prestigjioze ndërkombëtare.

“Sot kemi numrin më të madh të medaljeve të arta që kur e kemi krijuar këtë event. Ajo që na kënaq më shumë është se ky numër përkon edhe me rritjen e studentëve shqiptarë që hyjnë në universitetet më prestigjioze të botës”, u shpreh Rama.

Kryeministri vuri theksin te këmbëngulja dhe sakrifica si elementë thelbësorë për realizimin e ëndrrave, duke theksuar se suksesi nuk vjen pa përballuar vështirësi.

“Në majë nuk arrijnë të gjithë. Arrijnë ata që nuk dorëzohen dhe që janë gati të paguajnë çmimin e ëndrrës së tyre. Sa më e madhe ëndrra, aq më i lartë është çmimi i saj: sakrifica, energjia dhe lufta me veten”, tha ai.

Rama u ndal edhe te shembulli i dy vëllezërve binjakë nga Pogradeci, ku vetëm njëri prej tyre u nderua me medalje ari, pasi tjetri kishte marrë notën 9.

“Kam bindjen se në pjesën tjetër të rrugës, ajo 9 do ta ndihmojë që ta kalojë vëllain”, u shpreh kryeministri.

Në përfundim, Rama u uroi nxënësve suksese në rrugëtimin e tyre akademik dhe shprehu shpresën që një pjesë e tyre, njohuritë dhe përvojën e fituar në të ardhmen, ta vënë në shërbim të Shqipërisë.