
Deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara, zhvilloi dje një takim me demokratë dhe qytetarë të Durrësit, ku bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e sotme.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Cara theksoi se protestimi kundër qeverisë është një detyrim qytetar dhe jo një zgjedhje individuale.
“Sot, me demokratët dhe qytetarët e Durrësit, folëm hapur dhe me përgjegjësi për detyrën që kemi përpara. Pjesëmarrja në protestën e sotme nuk është zgjedhje, është domosdoshmëri. Regjimi i Ramës ka varfëruar familjet shqiptare, ka përzënë fëmijët tanë nga atdheu, e ka kthyer Shqipërinë në narkoshtet dhe ka grabitur buxhetin e shtetit dhe çdo pronë publike,” shkruan Cara.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën që do të mbahet sot, më 22 dhjetor, në orën 18:00, duke e cilësuar atë si një moment vendimtar.
“Nesër, më 22 dhjetor, në orën 18:00, të gjithë në protestë kundër regjimit. Koha nuk pret. Shqipëria na thërret!” përfundon mesazhi i tij, duke theksuar se thirrja vjen nga Partia Demokratike, Dega Durrës.