
Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e së dielës në autostradën Lushnjë–Fier, në afërsi të vendit të njohur si “Pushimi i shoferit”.
Sipas informacioneve paraprake, dy automjete që lëviznin në drejtim të Fierit janë fërkuar me njëra-tjetrën gjatë një tentative parakalimi të gabuar. Si pasojë, një automjet tip Volvo, fuoristradë, ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në mes të barrierave ndarëse të dy kaheve të lëvizjes.
Përplasja e fortë ka bërë që mjeti të “fluturojë” dhe të ndalet mes barrierave metalike të autostradës.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të Policisë Rrugore, të cilat po punojnë për dokumentimin e plotë të aksidentit dhe për disiplinimin e trafikut.
Ambulanca ka transportuar të lënduarit për ndihmë mjekësore, ndërsa raportohet se asnjë prej tyre nuk ndodhet në gjendje serioze. Pasagjeri O. Sh. ndodhet në vendin e ngjarjes dhe, fatmirësisht, nuk ka pësuar dëmtime.