
Shtetet e Bashkuara po ndjekin një cisternë tjetër nafte në ujërat ndërkombëtare pranë Venezuelës, në atë që përbën operacionin e dytë të tillë gjatë këtij fundjave dhe të tretin brenda më pak se një jave, kanë bërë të ditur zyrtarë amerikanë për Reuters.
Sipas burimeve zyrtare, cisterna e naftës dyshohet se është nën sanksione ndërkombëtare.
Autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi vendndodhjen e saktë të operacionit dhe kanë folur në kushtet e anonimatit. U.S. Coast Guard po kryen ndjekjen, ndërsa Shtëpia e Bardhë nuk ka reaguar menjëherë ndaj kërkesave për koment, përcjell Reuters.
Këto zhvillime vijnë vetëm pak ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump shpalli një “bllokadë” ndaj të gjitha cisternave të naftës nën sanksione që hyjnë ose dalin nga Venezuela.
Fushata e presionit ndaj presidentit venezuelian Nicolas Maduro është shoqëruar me rritje të ndjeshme të pranisë ushtarake amerikane në rajon, përfshirë lëvizje forcash në Karaibe dhe Paqësor.
Sipas të njëjtave burime, SHBA kanë kryer më shumë se dy dhjetëra sulme ushtarake ndaj mjeteve lundruese në afërsi të Venezuelës gjatë ditëve të fundit, operacione që kanë shkaktuar të paktën 100 viktima.
Drejtori i Këshillit Kombëtar Ekonomik të Shtëpisë së Bardhë, Kevin Hassett, deklaroi se dy cisternat e para të sekuestruara operonin në tregun e zi dhe furnizonin vende të tjera nën sanksione.
“Nuk mendoj se qytetarët amerikanë duhet të shqetësohen për rritje të çmimeve të naftës për shkak të këtyre sekuestrimeve. Bëhet fjalë vetëm për disa anije që vepronin në mënyrë të paligjshme”, tha Hassett.
Megjithatë, tregjet ndërkombëtare të energjisë po i ndjekin me shqetësim këto zhvillime. Një tregtar nafte i tha Reuters se sekuestrimet rrisin rreziqet gjeopolitike dhe mund të çojnë në rritje të çmimeve të naftës kur të hapen tregjet aziatike.
Nga ana tjetër, pritshmëritë për një fund të mundshëm të luftës në Ukrainë mund të ndihmojnë në frenimin e rritjes së çmimeve.
Ndërkohë, grumbullimi ushtarak amerikan në rajon, përfshirë në Porto Riko, shihet si sinjal se Uashingtoni është i vendosur të zbatojë në terren politikën e re të sanksioneve dhe bllokadës ndaj sektorit energjetik të Venezuelës, duke e çuar përplasjen me Karakasin në një fazë më të ashpër.