Vendosni fjalën kyçe....

“Rama kreu akt puçist e antikushtetues me mbrojtjen e Ballukut” – PD thirrje qytetarëve të protestojnë nesër


PD-ja e akuzoi kryeministrin Rama për akt “puçist dhe antikushtetues” për bllokimin e shqyrtimit të kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi u shpall pasi Rama, urdhëroi Taulant Ballën dhe Niko Peleshin të ndërprisnin shqyrtimin e çështjes në Këshillin e Imunitetit dhe Mandateve, thotë PD-ja në reagimin e saj zyrtar.

Veprimi i Ramës vëren PD-ja  është bllokim i drejtësisë dhe mbrojtje politike e Ballukut, e akuzuar për pasuri të paligjshme me 300 apartamente, 2 jahte e 14 supermarkete.

Sipas selisë blu, bllokimi synon t’i krijojë kushte Ballukut për të prishur prova, manipuluar hetimin dhe ndikuar mbi dëshmitarë.

“Kërkesa e SPAK për arrestim nuk ka lidhje me Gjykatën Kushtetuese, por bazohet në fakte dhe dokumente për vjedhje mbi 1.2 miliardë euro dhe afera të tjera madhore. Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit (neni 118) e detyrojnë Parlamentin të shqyrtojë menjëherë kërkesën e Prokurorisë dhe ta përfundojë procedurën brenda dy javësh.” – nënvizon PD-ja.

Deklarata e Partisë Demokratike

“Edi Rama, në një akt puçist antikushtetues, njoftoi sot bllokimin e shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres së tij, Lubi Balluku, sipas tij deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ai shpalli këtë vendim pasi urdhëroi Peleshin dhe Ballën të ndërprisnin brutalisht, pa asnjë shkak, shqyrtimin në Këshillin e Imunitetit dhe Mandateve të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Lubi Ballukut.

Ky është një akt tjetër tepër i rëndë, puçist dhe antikushtetues, një bllokim me çdo kusht i drejtësisë dhe i vendimeve të saj, një mbrojtje me çdo kusht e bashkëvjedhëses së tij, Lubi Ballukut, me 300 apartamente, 2 jahte dhe 14 supermarkete, etj., etj. Është një përpjekje e hapur për t’i krijuar kushte delinkentes Balluku që të prishë, fshehë dhe manipulojë çdo provë, si dhe të frikësojë, dhunojë apo blejë çdo dëshmitar.

Kërkesa për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Lubi Ballukut nuk ka absolutisht asnjë lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi vendimi i Prokurorisë për arrestimin e Ballukut bazohet në fakte dhe dokumente të vjedhjeve mbi 1.2 miliardë euro, bazohet në hetimin e aferave të tjera si Unaza e Madhe e Tiranës me 450 milionë euro vjedhje, si dhe në gjetjen e 300 apartamenteve, dy jahteve dhe 14 supermarketeve të të pangopurës së tij, Lubi.

Me këtë akt puçist dhe antikushtetues, Edi Rama jo vetëm bllokon pushtetin gjyqësor, por merr gjithashtu pushtetin e Parlamentit, duke asgjësuar de facto këtë institucion, pasi Rregullorja dhe Kushtetuta e tij, në nenin 118, “për dhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit me burg apo në shtëpi për ministrat dhe deputetët”, detyron Parlamentin dhe Këshillin për Imunitetin dhe Mandatet të shqyrtojë menjëherë kërkesën e Prokurorisë dhe ta përfundojë brenda dy javëve raportin për ta paraqitur si pikë të parë të rendit të ditës në seancën e parë plenare pasardhëse.

Me këtë akt puçist dhe antikushtetues, Edi Rama mbron veten e tij dhe vjedhjet e tij prej miliardash në mega-aferat e Tunelit të Llogarasë, Aeroportit të Vlorës, “Dubait” të tij të Durrësit, AKSHI-n, kopshtin privat të familjes së tij, etj., etj.

Por me këtë akt të paprecedent, narkodiktatori i Tiranës provokon në mënyrën më të ulët qytetarët e revoltuar shqiptarë, të cilëve me gjuhë brigandi u thotë se “ju kemi vjedhur dhe do t’ju vjedhim sa të duam, sepse ju jeni qenie inferiore dhe për këtë arsye nuk ekzistoni”.

Partia Demokratike denoncon me forcën më të madhe këtë akt puçist të Edi Ramës dhe bën thirrje:

Në këmbë, qytetarë! Të mbrojmë nesër me guxim dhe vendosmëri ligjin dhe Kushtetutën, me revolta të fuqishme, për të shpëtuar sa më shpejt shqiptarët dhe Shqipërinë nga Ramaduro dhe regjimi i tij.”