
Raportet e inteligjencës amerikane vazhdojnë të paralajmërojnë se presidenti rus Vladimir Putin nuk ka hequr dorë nga synimi për të pushtuar të gjithë Ukrainën dhe për të rikthyer kontrollin mbi pjesë të Evropës që i përkisnin ish-perandorisë sovjetike, thanë për Reuters gjashtë burime të njohura me vlerësimet e shërbimeve amerikane.
Këto përfundime dalin në një kohë kur negociatorët po përpiqen të arrijnë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, e cila – sipas skenarëve aktualë – do ta linte Rusinë me shumë më pak territor sesa objektivat e saj fillestare.
Raportet paraqesin një tablo dukshëm të ndryshme nga ajo e artikuluar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe ekipi i tij negociator për Ukrainën, të cilët kanë deklaruar se Putin synon t’i japë fund konfliktit.
Sipas njërit prej burimeve, raporti më i fundit i inteligjencës daton nga fundi i shtatorit.
Vlerësimet e SHBA-së bien gjithashtu ndesh me mohimet e Putinit se Rusia përbën kërcënim për Evropën.
Sipas burimeve, këto konkluzione kanë qenë të qëndrueshme që nga nisja e pushtimit në shkallë të plotë në vitin 2022 dhe përputhen gjerësisht me vlerësimet e liderëve evropianë dhe shërbimeve të inteligjencës në kontinent, të cilat besojnë se Kremlini synon jo vetëm Ukrainën, por edhe territore të ish-bllokut sovjetik, përfshirë vende anëtare të NATO-s.
“Inteligjenca ka qenë gjithmonë e qartë se Putini kërkon më shumë,” tha për Reuters anëtari demokrat i Komitetit të Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve, Mike Quigley. “Evropianët janë të bindur për këtë. Polakët janë absolutisht të bindur. Shtetet baltike mendojnë se janë të parat në radhë.”
Aktualisht, Rusia kontrollon rreth 20% të territorit të Ukrainës, përfshirë pjesën më të madhe të rajoneve të Luhanskut dhe Donetskut – zemra industriale e Donbasit – si dhe pjesë të Zaporizhjias, Khersonit dhe Gadishullin e Krimesë në Detin e Zi. Putini pretendon se Krimeja dhe katër rajonet e tjera i përkasin Rusisë.
Sipas dy burimeve të njohura me çështjen, administrata Trump po ushtron presion ndaj Kievit që të tërheqë forcat e saj nga pjesa e vogël e Donetskut që ende kontrollon, si pjesë e një propozimi për marrëveshje paqeje.
Një kërkesë e tillë është refuzuar nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy dhe nga shumica e ukrainasve.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se “ekipi i presidentit ka bërë përparim të madh drejt përfundimit të luftës” dhe se Trump ka theksuar se një marrëveshje paqeje “është më afër se kurrë”, pa iu referuar drejtpërdrejt raporteve të inteligjencës.
Ndërkohë, drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, Tulsi Gabbard, shkroi të shtunën në platformën X se oficerët e inteligjencës u kanë thënë ligjvënësve se “Rusia kërkon të shmangë një luftë më të gjerë me Evropën” dhe se performanca e trupave ruse në Ukrainë tregon se aktualisht Moska nuk ka kapacitetin për të pushtuar “të gjithë Ukrainën, e aq më pak Evropën.”
Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, CIA dhe ambasada ruse nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Në planin diplomatik, negociatorët e Trumpit – dhëndri i tij Jared Kushner dhe zhvilluesi miliarder i pasurive të paluajtshme Steve Witkoff – kanë javë që negociojnë një plan paqeje me 20 pika me përfaqësues ukrainas, rusë dhe evropianë. Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, ata janë takuar të premten në Miami me negociatorë ukrainas dhe pritet të zhvillojnë bisedime me përfaqësues rusë gjatë fundjavës.
Bisedimet në Berlin këtë javë sollën një konsensus të gjerë mes SHBA-së, Ukrainës dhe vendeve evropiane për garanci të forta sigurie për Ukrainën kundër agresionit të ardhshëm rus, thanë diplomatë evropianë dhe burime të njohura me negociatat.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse këto garanci do të kushtëzohen me lëshime territoriale nga Kievi, diçka që Zelenskiy e ka përjashtuar publikisht.
Ndërkohë, Putini ka sinjalizuar se nuk është i gatshëm për kompromise thelbësore. Në një konferencë vjetore për shtyp, ai u shpreh se është i hapur për diskutime paqeje, por theksoi se kushtet e tij duhet të plotësohen, duke nënvizuar se forcat ruse kanë avancuar rreth 6,000 kilometra katrorë gjatë këtij viti.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pranoi të premten se mbetet e paqartë nëse Putini synon një marrëveshje apo pushtimin e plotë të Ukrainës, duke shtuar se objektivat fillestare të Moskës ende nuk janë arritur.
Artikulli bazohet në raportimin e Reuters nga Uashingtoni dhe Parisi.