
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) po këshillojnë zyrtarisht gratë që rezultojnë negative për Hepatitin B të këshillohen me ofruesit e kujdesit shëndetësor nëse foshnjat e tyre duhet të marrin dozat e para brenda 24 orëve nga lindja.
Komisioni këshillimor i vaksinave i agjencisë, votoi për këtë rekomandim këtë muaj, duke përmbysur më shumë se tre dekada të udhëzimeve të agjencisë. Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të CDC-së, Jim O’Neill, e pranoi ndryshimin të martën e shkuar.
“Ne po rivendosim ekuilibrin e pëlqimit të informuar për prindërit, foshnjat e të cilëve përballen me pak rrezik për t’u prekur nga Hepatiti B,” tha O’Neill në një deklaratë.

CDC kishte rekomanduar dozën e lindjes të vaksinës që nga viti 1991. Shumë ekspertë të shëndetit publik kritikuan vendimin e komisionit këshillimor, shkruan NBC.
CDC sugjeron pritjen deri në moshën të paktën 2-muajshe për dozat e para të hepatitit B nëse foshnjat nuk e marrin atë në lindje. Megjithatë, ajo ende rekomandon që foshnjat e lindura nga nëna që rezultojnë pozitive për hepatitin B, ose statusi i infektimit të të cilave nuk dihet, të marrin vaksinat brenda ditës së parë të jetës.
Agjencia është ende duke rishikuar një rekomandim dytësor nga paneli: që prindërit të konsultohen me mjekët për mundësinë e testimit të fëmijëve për antitrupa të hepatitit B përpara se të vendosin nëse do marrin dozat e dyta të vaksinës. Vaksina e hepatitit B zakonisht u jepet foshnjave si një seri prej tre dozash.