Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Shishe vere me vlerë miliona euro u zhdukën nga vinoteka e Ergys Agasit, pas aferës qëndron Rama


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar atë që e cilëson si një vjedhje të rëndë shtetërore, duke deklaruar se shishe vere shumë të rralla dhe me vlerë miliona euro janë zhdukur nga vinoteka e biznesmenit Ergys Agasi, pas një kontrolli të kryer nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH).

Në një postim në rrjetet sociale, Berisha pretendon se vera e sekuestruar ishte kontrabandë, pa pulla fiskale, dhe për këtë arsye ishte marrë në administrim nga shteti.

Sipas tij, pas sekuestrimit, shishet origjinale janë transportuar fshehurazi me kamionë dhe janë zëvendësuar me shishe të tjera, duke zhdukur kështu verën e rrallë me vlerë shumë të lartë financiare.

“Shishe vere shumë të rralla, me vlerë miliona euro, janë zhdukur nga vinoteka e Ergys Agasit, pasi u morën në administrim nga shteti pas kontrollit të BKH-së. Ato u nxorën fshehurazi me kamionë dhe u zëvendësuan me shishe të tjera, për të mbuluar vjedhjen,” shkruan Berisha.

Lideri demokrat akuzon drejtues institucionesh shtetërore dhe persona të lidhur me krimin e organizuar se janë përfshirë në këtë aferë, ndërsa thekson se përgjegjësia politike, sipas tij, shkon deri në majat e qeverisë.

“Pas kësaj afere qëndron Edi Rama,” deklaron Berisha, duke e cilësuar rastin si një shembull të qartë të funksionimit të asaj që ai e quan “narkoshtet”.

Sipas tij, ky episod tregon se si shteti, në vend që të mbrojë ligjin dhe interesin publik, shndërrohet në instrument për vjedhje, mbulim të paligjshmërisë dhe favorizim të grupeve të lidhura me pushtetin.

“Ky është një tjetër fakt që dëshmon se institucionet janë kthyer në vegla për grabitje dhe për mbrojtjen e krimit,” thekson Berisha.