Vendosni fjalën kyçe....

Turqia rrëzon dronë në hapësirën ajrore mbi Ankara, paralajmëron Rusinë dhe Ukrainën



Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Turqisë (MSB) ka bërë të ditur se një mjet ajror pa pilot (UAV), i cili kishte hyrë në hapësirën ajrore turke nga drejtimi i Detit të Zi, është rrëzuar më 15 dhjetor në qiellin mbi Ankara. Autoritetet turke njoftuan se për incidentin janë paralajmëruar si Rusia ashtu edhe Ukraina, përcjell Euronews.

Sipas deklaratës zyrtare, droni ishte jashtë kontrollit dhe u ndoq nga avionë luftarakë F-16 të Forcave Ajrore Turke.
“Si rezultat i vlerësimeve të kryera, për të garantuar sigurinë e hapësirës ajrore dhe për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve tanë, UAV-ja u ndoq nga avionët tanë F-16 dhe, pas përfundimit të procedurave, u rrëzua me ndërhyrje të kontrolluar në vendin më të përshtatshëm,” thuhet në deklaratë.

Ministria theksoi se për shkak të luftës së vazhdueshme mes Ukrainës dhe Rusisë, të dyja palët janë paralajmëruar të tregojnë më shumë kujdes për incidente që rrezikojnë sigurinë në Detin e Zi.

Autoritetet nuk dhanë informacion mbi origjinën e dronit dhe as nëse ai mbante ndonjë ngarkesë. Sipas MSB-së, UAV-ja u shkatërrua në copa shumë të vogla dhe mbetjet u shpërndanë në një zonë të gjerë, gjë që e vështirëson gjetjen e tyre. Megjithatë, ekipet përkatëse po kryejnë kontrolle dhe hetime teknike të detajuara.

Një incident i dytë u regjistrua të shtunën, kur një tjetër dron u gjet i rrëzuar në një fushë të zbrazët pranë qytetit Balıkesir, rreth tre orë në jugperëndim të Stambollit. Autoritetet lokale dyshojnë se ai mund të jetë me origjinë ruse. Ky është rasti i tretë i tillë që nga fillimi i javës.

Debat për sigurinë ajrore

Rrëzimi i dronit nga avionët F-16 ka nxitur debat mbi funksionimin e sistemit të radarëve. Deputeti i CHP-së nga Stambolli dhe ish-ambasadori Namık Tan ngriti pikëpyetje duke deklaruar:
“A është sistemi ynë i radarëve i pamjaftueshëm për të zbuluar në kohë një dron që shkel hapësirën tonë ajrore dhe arrin deri mbi kryeqytetin, zemrën e shtetit dhe mbi objektet kritike të industrisë së mbrojtjes?”

Ministria e Mbrojtjes i hodhi poshtë këto pretendime, duke theksuar se kontrolli i hapësirës ajrore kryhet 24 orë në ditë me një arkitekturë të integruar që përfshin radarë, sisteme paralajmërimi të hershëm, luftë elektronike dhe elementë përgjimi.
“Procesi në lidhje me UAV-në në fjalë u menaxhua dhe u finalizua me sukses. Pretendimet se sistemi ynë i mbrojtjes ajrore ka dobësi nuk pasqyrojnë të vërtetën,” thuhet në reagimin zyrtar.

Tensionet në Detin e Zi

Fakti që droni hyri në hapësirën ajrore turke nga drejtimi i Detit të Zi ka rikthyer vëmendjen te aktivitetet e shtuara në rajon. Gjatë muajit të fundit janë shënuar sulme ndaj cisternave ruse të naftës në Detin e Zi, si dhe kundërpërgjigje nga Rusia. Disa anije që i përkasin kompanive turke janë prekur gjithashtu nga këto sulme.

Turqia i ka dënuar incidentet dhe ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje nga të dyja palët. Në fund të nëntorit, cisternat VIRAT dhe KAIROS, që dyshohet se i përkisnin flotës ruse “në hije”, u sulmuan, ndërsa ekipet turke luajtën rol kyç në shpëtimin e ekuipazheve. Në fillim të dhjetorit, edhe cisterna MIDVOLGA-2, që transportonte vaj luledielli nga Rusia drejt Gjeorgjisë, u sulmua në Detin e Zi.