
Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, ka paralajmëruar kundër çdo ndërhyrjeje ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Venezuelë, duke deklaruar se një veprim i tillë do të shkaktonte një “katastrofë humanitare” për gjithë rajonin, përcjell DW.
Deklarata u bë gjatë samitit të bllokut ekonomik të Amerikës së Jugut, Mercosur, i mbajtur në Ujëvarat Iguacu në jug të Brazilit. Lula theksoi se pasojat e një ndërhyrjeje të armatosur do të ishin të rënda jo vetëm për Venezuelën, por për gjithë hemisferën.
“Një ndërhyrje e armatosur në Venezuelë do të ishte një katastrofë humanitare për hemisferën dhe një precedent i rrezikshëm për botën”, u shpreh Lula në fjalën hapëse të samitit.
Në të njëjtin takim, presidenti i Argjentinës, Javier Milei, mbajti një qëndrim të kundërt, duke përshëndetur përpjekjet e Uashingtonit për të ushtruar presion ndaj Karakasit. Milei, një aleat i ngushtë i presidentit amerikan Donald Trump, deklaroi se “koha e një qasjeje të butë ndaj Venezuelës ka përfunduar” dhe se
Argjentina mbështet presionin amerikan për “çlirimin e popullit venezuelian”.
Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar prej muajsh fushatën kundër qeverisë së presidentit venezuelian Nicolas Maduro, duke shkatërruar anije në Karaibe që i akuzojnë për trafik droge. Sipas raportimeve, këto sulme kanë shkaktuar të paktën 90 viktima. Uashingtoni ka akuzuar qeverinë e Maduros për lidhje me organizata kriminale, pa ofruar prova publike.
Së fundmi, presidenti Trump ka urdhëruar bllokimin e cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela dhe ka lënë të hapur mundësinë e sulmeve ajrore ndaj objektivave në territorin venezuelian.
Gjatë samitit të Mercosur, Lula u ndal edhe te marrëdhëniet me Bashkimin Europian, duke i bërë thirrje BE-së të tregojë “vullnet politik dhe guxim” për të nënshkruar marrëveshjen e tregtisë së lirë me bllokun sudamerikan. Ai theksoi se negociatat kanë zgjatur prej 26 vitesh dhe se një marrëveshje do të përçonte një mesazh të fortë në mbrojtje të multilateralizmit.
Marrëveshja është kundërshtuar nga fermerë europianë, veçanërisht në Francë dhe Itali, të cilët paralajmërojnë konkurrencë të padrejtë nga sektori bujqësor i Amerikës së Jugut. Bashkimi Europian ka shtyrë nënshkrimin e marrëveshjes për në muajin janar.