Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Qeveria Rama organizatë kriminale, ta rrëzojmë. Apartamentet e Ballukut do u kthehen qytetarëve


Kreu i PD-së Berisha akuzoi kryeministrin Rama për mbrojtjen politike që po i bën zëvendëses së tij Balluku.

Në bashkëbisedimin me qytetarët në rrjetet sociale, ai tha se dokumentet e SPAK-ut kanë vërtetuar akuzat e opozitës ndaj kreut të qeverisë dhe ministrave të tij.

“Disa herë kam deklaruar se Edi Rama është miliarder dhe, kur e kam bërë këtë deklaratë, e kam ditur shumë mirë që do ta kishit të vështirë ta besonit. Megjithatë, kjo deklaratë është bërë mbi bazën e dokumenteve dhe fakteve konkrete. Çdo shqiptar e mban mend se në vitin 2014, në një raport sekret të OSBE-së, u deklarua se Edi Rama kishte 200 milionë euro në banka offshore. Këtë fakt Edi Rama nuk e përgënjeshtroi kurrë dhe as nuk e paditi autorin e raportit. Ai nuk mund të padiste një organizatë ndërkombëtare, sepse një veprim i tillë do të nxirrte në dritë çdo qindarkë të fshehur. Pra, Edi Rama u bë kryeministër me 200 milionë euro në llogari bankare offshore. Pyetja është: si u bë? U bë absolutisht vetëm përmes kateve të ndërtimit. Në çdo pallat, Edi Rama vendoste gjoba me një ose dy kate, në varësi të lartësisë së pallatit, dhe nuk pranonte apartamente si kompensim, por vetëm shumën përkatëse me çmimin e shitjes së apartamenteve. Kjo është e faktuar. Ka biznesmenë guximtarë që ia kanë thënë këtë në sy dhe të tjerë që e kanë deklaruar vazhdimisht. Pikërisht përmes pallateve dhe kateve të pallateve, Edi Rama u bë kryeministër me 200 milionë euro të fshehura.” – tha Berisha.

Ai e akuzoi kryeministrin për korrupsion me lejet e ndërtimit, të cilat sipas tij, i kanë sjellë miliona euro të ardhura të paligjshme. Berisha tha se Rama urdhëroi në mënyrë kriminale mbrojtjen e Ballukut përmes deputetëve që votuan kundër heqjes së imunitetit të saj.

“Por nga viti 2014 e deri më sot, për rreth 10–12 vite, duhet theksuar se këto kanë qenë vitet e ndërtimit të pallateve më të shumta dhe më të larta në të gjithë historinë tonë. Në këtë periudhë, Edi Rama nuk është ndalur më me një apo dy kate, por ka inkasuar shumat që korrespondojnë me të paktën katër ose pesë kate, minimumi. Ndërkohë, si menaxher i 67 miliardë eurove, që përfaqësojnë totalin e buxheteve 12-vjeçare të shtetit, Edi Rama, së bashku me lukuninë e tij, sipas të dhënave të Bankës Botërore dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka shpërdoruar dhe përvetësuar minimumi 90 për qind të këtyre fondeve.

Kjo javë është java e zbulimit të madh, java e ekspozimit të korrupsionit me përmasa të ngjashme me diktaturat afrikane të dikurshme. Është java në të cilën Edi Rama hoqi çdo maskë përpara shqiptarëve dhe u pozicionua hapur në mbrojtje të vjedhjeve të zbuluara me dokumente të Lubi Ballukut. Është java e mbrojtjes së 300 apartamenteve të blera me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe e mbrojtjes së jahteve të blera po me paratë e qytetarëve shqiptarë.” – shtoi kryedemokrati.

Berisha theksoi më tej se nëse Balluku ka 300 apartamente, Rama ka të paktën trefishin e tij. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen e të rrëzojnë qeverinë e korruptuar.

“Në këtë kontekst, ai urdhëroi në mënyrën më kriminale deputetët e tij që të mos lejonin heqjen e imunitetit të Lubi Ballukut, për faktin e vetëm se, nëse Lubia ka 300 apartamente, Edi Rama ka minimumi 1 500. Nëse Lubia ka dy jahte, Rama ka minimumi pesë, nëse i janë dashur. Nëse Lubia ka dy vila, Rama është pronar në resorte të tëra turistike. Ajo që kam parë unë në portin e Durrësit është pikërisht arsyeja pse kam deklaruar se Edi Rama do të bëhej me çdo kusht miliarder si Alabari. Në portin e Durrësit, ku po ndërtohen 12 mijë apartamente, 12 hotele me pesë dhe gjashtë yje, me pishina dhe çdo luks tjetër, pronari i parë absolut është Edi Rama, së bashku me klanet e drogës, dhe më pas Al Alabari. Pra, kjo javë ishte java e zbulimeve më të mëdha dhe më të errëta për Edi Ramën dhe për qeverinë shqiptare.Ky është një proces shumë i vështirë, proces në vazhdim, në të cilin Lubi Balluku po mbrohet nga Edi Rama në mënyrë që të prishë çdo lloj dokumentacioni, por nuk ka dyshim se ato do sekuestrohen dhe do u kthehen qytetasve.” ” – shtoi kreu i PD-së.