Vendosni fjalën kyçe....

Aksident i rëndë në Bradashesh – Paraburgimi i Elbasanit, katër të plagosur



Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mbrëmjen e sotme, rreth orës 20:10, në aksin rrugor pranë rrotullimit të Bradasheshit – Paraburgimi i Elbasanit. Dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën, duke shkaktuar panik dhe bllokim të përkohshëm të qarkullimit në këtë segment të rrugës me trafik të konsiderueshëm.

Sipas të dhënave paraprake, aksidenti dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një manovre të gabuar parakalimi nga njëri prej automjeteve, çka ka sjellë përplasjen e fortë mes mjeteve.

Si pasojë, drejtuesit e dy automjeteve dhe dy pasagjerë kanë mbetur të plagosur. Të lënduarit janë transportuar menjëherë drejt spitalit për ndihmë mjekësore, ndërsa gjendja e tyre po monitorohet nga personeli mjekësor.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ambulancat, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe për normalizimin e qarkullimit rrugor.