
Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, deklaroi pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve se çdo vonesë mund të rrezikojë provat dhe intimidimin e dëshmitarëve.
Ai shtoi se gjatë mbledhjes u zbuluan edhe skenarët e kryeministrit Edi Rama, i cili po përpiqet të fitojë kohë për të vendosur se çfarë do të bëjë me Ballukun.
“Sot u zbulua se skenari ishte që të pandehurës Balluku t’i jepej alibi të shtynte mbledhjen sepse nuk kishte lexuar materialin. 5 anëtarët e opozitës kërkuan që mbledhja të ndërpritej, deputetët të pajiseshin me materialin e plotë dhe të rimblidhen të hënën për të dëgjuar SPAK dhe Ballukun. U zbulua gjithashtu se Rama nuk ka vendosur ende çfarë do të bëjë dhe po fiton kohë për të kuptuar nivelin e rrezikut për Ballukun”.- tha Bardhi.
Ai falënderoi prokurorët për profesionalizmin dhe shtoi se kjo është një çështje urgjente.
“Çdo vonesë mund të rrezikojë provat dhe intimidimin e dëshmitarëve”.- u shpreh ai.