
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka dhënë një paralajmërim të fortë liderëve të Bashkimit Europian gjatë samitit të Këshillit Europian në Bruksel, duke theksuar se një marrëveshje për përdorimin e aseteve të ngrira ruse duhet të arrihet brenda fundit të vitit, përndryshe Ukraina rrezikon të mbetet pa burime financiare jetike.
Zelensky tha se Ukraina ka vetëm disa muaj para se të shterojnë fondet dhe paralajmëroi se pa një injektim financiar deri në pranverë, vendi do të detyrohet të reduktojë prodhimin e dronëve, një element kyç për mbrojtjen ushtarake.
“Pa këtë mbështetje financiare, deri në pranverë do të duhet të ulim prodhimin e dronëve”, u shpreh ai para gazetarëve, pëercjell BBC.
Në qendër të debatit në samitin e Brukselit është propozimi për një hua shumë miliardë euro për Ukrainën, e cila do të financohej nga asetet ruse të ngrira në BE.
Rreth 210 miliardë euro të pasurive ruse ndodhen aktualisht në territorin e Bashkimit Europian, shumica e tyre të administruara nga kompania belge Euroclear.
Deri më tani, Belgjika dhe disa shtete të tjera anëtare kanë kundërshtuar përdorimin e këtyre fondeve si një formë “huaje dëmshpërblimi”.
Rusia ka paralajmëruar BE-në që të mos përdorë këto para, ndërsa kryeministri polak Donald Tusk ka theksuar se Europa duhet “të ngrihet në lartësinë e momentit”.
Samiti zhvillohet në një moment kyç të luftës, ndërsa Moska ka ngritur edhe një padi në një gjykatë në Moskë kundër Euroclear-it, në përpjekje për të rikuperuar asetet.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se “nuk do të largohemi nga samiti pa një zgjidhje”, ndërsa një zyrtar europian është shprehur se ka “optimizëm të kujdesshëm, por jo të tepruar” për arritjen e një marrëveshjeje.
Vëmendja është përqendruar edhe te kryeministri belg Bart De Wever, i cili ka deklaruar në parlamentin belg se nëse gjithçka dakordohet nga vendet e tjera të BE-së, “atëherë do të hidhemi në humnerë bashkë me europianët e tjerë dhe do të shpresojmë që parashuta të hapet”, duke reflektuar shqetësimet ligjore dhe financiare të Belgjikës.
Ndërkohë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës është më afër se kurrë.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, zyrtarë amerikanë dhe rusë pritet të takohen këtë fundjavë në Miami për bisedime të mëtejshme mbi një plan paqeje, ku pritet të marrë pjesë edhe i dërguari i Kremlinit, Kirill Dmitriev. Edhe përfaqësues ukrainas janë nisur drejt SHBA-së.
Zelensky ka theksuar se fondet janë thelbësore si për mbështetjen e ushtrisë nëse lufta vazhdon, ashtu edhe për rimëkëmbjen e vendit nëse arrihet paqja. “Na duhen këto para ose për të mbajtur ushtrinë, ose për t’i drejtuar plotësisht drejt rindërtimit”, tha ai.
Rusia ende nuk ka reaguar ndaj propozimeve më të fundit për paqe, por Kremlini ka theksuar se një forcë shumëkombëshe europiane për Ukrainën, e mbështetur nga SHBA, është e papranueshme.
Presidenti rus Vladimir Putin ka sulmuar ashpër Europën, duke e quajtur atë në gjendje “degradimi total” dhe duke akuzuar aleatët europianë të Ukrainës se shpresojnë të përfitojnë nga rënia e Rusisë.
Komisioni Europian ka propozuar dhënien e rreth 90 miliardë eurove hua për Ukrainën gjatë dy viteve të ardhshme, një shumë që do të mbulonte rreth dy të tretat e nevojave financiare të Kievit deri në vitin 2027.
Deri tani, BE-ja ka transferuar vetëm interesat e gjeneruara nga asetet e ngrira, por jo vetë kapitalin.
Megjithatë, kundërshtimet mbeten të forta.
Kryeministri hungarez Viktor Orbán ka bërë të qartë se nuk do të lejojë përdorimin e mëtejshëm të fondeve të BE-së për Ukrainën, ndërsa edhe vende të tjera si Sllovakia, Italia, Malta, Bullgaria dhe Çekia kanë shprehur rezerva.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka deklaruar se do ta mbështesë marrëveshjen vetëm “nëse baza ligjore është e fortë”, duke paralajmëruar se ndryshe kjo do t’i jepte Rusisë “fitoren e parë reale që nga fillimi i konfliktit”.
Nëse marrëveshja miratohet, votimi do të kërkojë mbështetjen e të paktën 15 shteteve anëtare që përfaqësojnë 65% të popullsisë së BE-së.
Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, ka siguruar se vendimi nuk do të merret kundër vullnetit të Belgjikës, duke theksuar se dialogu me Brukselin zyrtar do të vazhdojë intensivisht.
Për Ukrainën, orët dhe ditët në vijim konsiderohen vendimtare, ndërsa liderët europianë përballen me një vendim që mund të ndikojë drejtpërdrejt jo vetëm fatin e luftës, por edhe unitetin dhe kredibilitetin e Bashkimit Europian.