
Pas rikthimit të Listës Serbe në pushtet, katër komunat veriore të Kosovës, të banuara kryesisht nga serbë, kanë nisur procesin e shfuqizimit të vendimeve të marra gjatë mandateve të kryetarëve shqiptarë. Të enjten, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin-Potoku vendosën të tërhiqen nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), duke argumentuar se anëtarësimi ishte bërë pa vullnetin e popullatës serbe, shkruan Koha.
Këto katër komuna mbajtën të enjten mbledhjet e para të kuvendeve komunale pas ndërrimit të pushtetit, gjatë të cilave u votua dalja nga AKK-ja. Kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin-Potokut, të gjithë nga Lista Serbe – parti që përfaqëson serbët e Kosovës dhe që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – renditën disa arsye për këtë vendim të koordinuar, duke theksuar si kryesore faktin se anëtarësimi në AKK ishte bërë pa pëlqimin e qytetarëve serbë.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, deklaroi se gjatë periudhës së deritanishme nuk është parë asnjë përfitim nga ky asociacion. Ai theksoi se kërkesa e qytetarëve, të cilët i kanë dhënë mandatin, është e qartë dhe se Kuvendi Komunal duhet të votojë për daljen nga Asociacioni i Komunave të Kosovës. Sipas tij, çdo anëtarësim i ardhshëm në ndonjë asociacion tjetër apo vendim i ngjashëm duhet të merret drejtpërdrejt nga qytetarët.
Në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Ferati-Doli, e kundërshtoi propozimin për dalje nga AKK-ja, duke vlerësuar se ky asociacion funksionon mirë dhe se largimi prej tij nuk është në interes të komunës.
Katër komunat me shumicë serbe ishin udhëhequr nga kryetarë shqiptarë nga maji i vitit 2023 deri në tetor të vitit 2025, periudhë gjatë së cilës ishte realizuar edhe anëtarësimi i tyre në Asociacionin e Komunave të Kosovës.
Kryetari i ri i Zveçanit, Dragisha Miloviq, deklaroi se synimi i komunës që ai drejton është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai kritikoi autoritetet e Kosovës, duke thënë se nuk po respektojnë marrëveshjet e arritura në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Sipas Miloviqit, edhe pse marrëveshja për themelimin e Asociacionit është miratuar nga Parlamenti i Kosovës me shumicë prej dy të tretash, për më shumë se 13 vjet nuk është bërë asnjë hap konkret drejt zbatimit të saj. Ai theksoi se kjo ka ndikuar negativisht në zhvillimin e komunës, veçanërisht në investimet infrastrukturore, duke shtuar se buxheti komunal është i kufizuar dhe se komuna detyrohet të mbajë edhe barrën financiare të AKK-së.
Lista Serbe kishte paralajmëruar edhe më herët se, pas rikthimit në pushtet në këto katër komuna, do t’i shfuqizonte të gjitha vendimet e marra nga kryetarët shqiptarë. Përfaqësuesit e saj kishin njoftuar se do të kryhej një shqyrtim i hollësishëm i gjendjes juridike dhe financiare të trashëguar, me qëllim marrjen e vendimeve në përputhje me ligjin dhe në interesin më të mirë të qytetarëve.
Asociacioni i Komunave të Kosovës funksionon si një organizatë joqeveritare, me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe mbrojtjen e interesave të komunave anëtare. Anëtarësimi i katër komunave veriore kishte nxitur reagime edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili kishte deklaruar se komunat me shumicë serbe duhet të jenë pjesë e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për themelimin e të cilit Kosova dhe Serbia janë pajtuar disa herë gjatë dialogut. Megjithatë, Kosova ende nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për ta themeluar këtë asociacion, pavarësisht presionit të vazhdueshëm nga bashkësia ndërkombëtare.
Gjatë periudhës së qeverisjes së kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe, autoritetet komunale kishin marrë në administrim objektet në pronësi të komunave ku funksiononin institucionet serbe, kishin ndaluar ndërtimet e jashtëligjshme të financuara nga Serbia dhe kishin paralajmëruar rrënimin e vendbanimeve të ndërtuara pa leje.
Po ashtu, Komuna e Mitrovicës së Veriut kishte nënshkruar gjatë verës së këtij viti një memorandum mirëkuptimi me Komunën e Mitrovicës së Jugut, që parashikonte ndërtimin e urave të reja për këmbësorë dhe automjete mbi lumin Ibër. Lista Serbe ka paralajmëruar se do të kërkojë rishikimin e të gjitha këtyre vendimeve.
Sipas Ligjit për vetëqeverisjen lokale, për çdo vendim apo akt të një komune që nuk është në përputhje me Kushtetutën ose me ligjet në fuqi, mund të kërkohet rishqyrtim nga organi mbikëqyrës, në këtë rast Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ose institucione të tjera përgjegjëse të Qeverisë së Kosovës.