
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale atë që e cilëson si një shtet të kapur dhe një sistem të pandershëm që, sipas saj, promovon dhe mban në pushtet qeverinë socialiste të pakicës, duke rënduar qytetarët jo vetëm me taksa, por edhe me “taksën e korrupsionit”.
Tabaku thekson se sot në Shqipëri nuk funksionon më gara e lirë, as në ekonomi, as në biznes dhe as në administratën publike.
Ajo i referohet rasteve të fundit të bëra publike nga SPAK, lidhur me tenderat e ndërtimit të rrugëve, koncesionet, Partneritetet Publike Private si rasti Unazës së Madhe dhe Tunelit të Llogarasë. Por dhe veçanërisht tenderat e AKSHI-t, të cilat, sipas saj, janë prova të qarta të kapjes së shtetit.
“Nuk ka më konkurrencë të lirë në treg. Tenderat ndahen ose me mesazhe, ose u shkojnë njerëzve afër pushtetit,” shprehet Tabaku, duke nënvizuar se bëhet fjalë edhe për tendera sensitivë që lidhen me menaxhimin e të dhënave personale të shqiptarëve, dosjeve gjyqësore, të dhënave të biznesit dhe infrastrukturës kritike të vendit.
Sipas saj, këto fusha duhet patjetër të funksionojnë mbi bazën e një gare të hapur dhe transparente, ku fiton biznesi më i mirë, por kjo nuk po ndodh.
Përkundrazi, qeveria, thotë Tabaku, ka vrarë garën në çdo sektor dhe në çdo institucion, duke ndarë paratë publike me një pakicë që më pas e mban në pushtet.
Deputetja demokrate nënvizon se ky sistem duhet ndryshuar rrënjësisht dhe se rikthimi i garës së ndershme, funksionimi real i ekonomisë së tregut dhe ndërtimi i një tregu të lirë janë çelësi për të çmontuar shtyllën kryesore të shtetit të kapur.
Në fund të mesazhit të saj, Tabaku ngre pyetjen që, sipas saj, çdo shqiptar ia bën vetes çdo ditë: “Çfarë Shqipërie po ndërtojmë?”.
Ajo thekson se Shqipëria e sotme nuk është ajo që meritojnë qytetarët dhe se ndryshimi i sistemit është kusht për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë dhe më europiane për vendin.