Vendosni fjalën kyçe....

SPAK regjistron procedim penal ndaj deputetit Tërmet Peçi pas kallëzimit të PD



SPAK i ka kthyer përgjigje Partisë Demokratike lidhur me kallëzimin e depozituar ndaj deputetit Tërmet Peçi, i akuzuar për shkelje të barazisë në tendera gjatë kohës kur ushtronte detyrën e kryebashkiakut të Tepelenës.

Kallëzimi është depozituar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion nga përfaqësuesja e PD-së, Adriana Kalaja. Në përgjigjen zyrtare, SPAK bën me dije se ka regjistruar procedim penal ndaj Peçit për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera.

“Në lidhje me shtetasin Tërmet Peçi është regjistruar procedim penal për veprën penale ‘Shkelja e barazisë në tendera’”, thuhet në dokumentin e SPAK.

Prokuroria e Posaçme sqaron gjithashtu se veprimet hetimore janë ende në proces dhe nuk kanë përfunduar. Sipas SPAK, në këtë fazë aktet hetimore janë të klasifikuara si “sekret”, ndërsa deputeti Tërmet Peçi ende nuk është marrë në pyetje lidhur me rrethanat e çështjes.

Hetimet vijojnë, ndërsa pritet që në vijim SPAK të përcaktojë hapat e mëtejshëm proceduralë mbi këtë dosje.