
Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar të mërkurën një paketë shitjeje armësh për Tajvanin me vlerë 11.1 miliardë dollarë (rreth 9.45 miliardë euro), duke e cilësuar atë si paketën më të madhe të armatimeve amerikane të miratuar ndonjëherë për ishullin, përcjell DW.
Departamenti amerikan i Shtetit bëri njoftimin gjatë një fjalimi televiziv të presidentit Donald Trump. Marrëveshja pritet të shkaktojë reagim nga Kina, e cila e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj.
Sipas autoriteteve amerikane, shitja e armëve shërben për interesat kombëtare, ekonomike dhe të sigurisë së SHBA-së, duke ndihmuar Tajvanin të modernizojë forcat e tij të armatosura dhe të ruajë një kapacitet të besueshëm mbrojtës.
Paketa përfshin tetë sisteme të ndryshme armatimi, mes tyre sisteme raketore HIMARS, obusë, raketa antitank Javelin, dronë luftarakë Altius (loitering munition), si dhe pjesë këmbimi dhe pajisje mbështetëse për sisteme të tjera ushtarake. Gjithashtu, përfshihen softuerë ushtarakë me vlerë mbi 1 miliard dollarë, raketa TOW dhe Javelin mbi 700 milionë dollarë, pjesë për helikopterë dhe paketa modernizimi për raketat Harpoon.
Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit deklaroi se SHBA-ja po ndihmon ishullin të forcojë kapacitetet e vetëmbrojtjes dhe të ndërtojë një fuqi penguese të bazuar në luftë asimetrike, për të garantuar paqen dhe stabilitetin rajonal.
Kjo është paketa e dytë e armatimeve për Tajvanin gjatë administratës aktuale të Trumpit dhe vjen në një kohë kur Kina ka shtuar presionin ushtarak dhe diplomatik ndaj ishullit.