Vendosni fjalën kyçe....

Qori thirrje qytetarëve për protestë para Kuvendit: Korrupsioni është si bari i keq, duhet shkulur me rrënjë


Kreu i Lëvizjes Bashkë,  Arlind Qori, përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, u ka bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës që do të mbahet sot në orën 18:00 përpara Kuvendit të Shqipërisë.

Ai deklaroi se Lëvizja Bashkë po përjashtohet qëllimisht nga ekranet televizive, veçanërisht në momentet kur situata politike është e tensionuar.

Sipas tij, edhe pse në emisionet politike ftohen përfaqësues të të gjitha forcave politike, zëri i Lëvizjes Bashkë mungon, ndërsa protestat e saj nuk pasqyrohen.

Në thirrjen e tij, ai kërkoi mbështetjen e qytetarëve për protestën e sotme, ku kërkohet shkarkimi i kryeministrit Edi Rama dhe i zv.kryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar korrupsionin si një problem që duhet “shkulur me rrënjë”.

Mesazhi i plotë:

Nuk është rastësi që sa herë nxehet situata politike në Shqipëri, Lëvizja Bashkë zhduket nga ekranet televizive. Edhe sonte, si thuajse çdo mbrëmje, në emisionet politike të mbrëmjes kishte të ftuar përfaqësues të të gjitha partive dramatike, komike, të mëdha apo të vogla. I vetmi zë që mungonte ishte Lëvizja Bashkë.

Edhe më groteske ishte situata në emisionin “Opinion” të TV Klan, ku drejtuesi i atij emisioni, pa kurrfarë etike gazetareske dhe me mllefin e një adoleshenti, kishte për borxh të përmendte protestën e çdo partie, qoftë edhe me 10 veta, ndërsa protestën më masive që është bërë këto kohë nga Lëvizja Bashkë nuk guxoi ta përmendte.

Kjo situatë ka logjikën e vet perverse. Të gjithë e dimë se e vetmja parti që nuk kërkon thjesht të zëvendësojë kuzhinierin në kuzhinë, por ta mbyllë përfundimisht këtë kuzhinë të qelbur, është Lëvizja Bashkë. Nga kjo kuzhinë janë ushqyer me miliarda jo vetëm oligarkët e televizioneve, por edhe pseudogazetarët që ia kanë shitur shpirtin shejtanit prej kohësh.

Në këto kushte, mbështetja e çdo qytetari të ndershëm është jetike për ne. Prandaj ju ftoj ta përhapim sa më shumë lajmin për protestën e sotme, në orën 18:00, përpara Kuvendit të Shqipërisë. Kërkojmë njëzëri shkarkimin e Edi Ramës dhe shkarkimin e Belinda Ballukut. Korrupsioni është si bari i keq, duhet shkulur me rrënjë.