Vendosni fjalën kyçe....

Gaz lotsjellës, fishekzjarre e patate godinës së KE-së, fermerët “luftë” me policinë në Bruksel (Video)


Fermerët protestdues rrëzuan pemën e Krishtlindjeve para Parlamentit Evropian dhe e zëvendësuan atë me një turrë gomash dhe mbeturinash që digjeshin, jo shumë larg vendit ku udhëheqësit e BE-së po debatonin për çështje kyçe të bllokut të enjten.

Ndërsa disa nga traktorët ishin të zbukuruar me drita Krishtlindjesh dhe lëshonin me gëzim meloditë e lojërave video dhe këngë pop përmes borive të tyre, policia u përpoq të mbante nën kontroll shpërthimet më të rrëmujshme në “Place du Luxembourg”. Lagjja Evropiane ishte e mbuluar nga tymi i dendur ndërsa autoritetet përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë demonstruesit gjatë gjithë ditës.

Ndonëse vetëm një pjesë e protestuesve u bënë të dhunshëm, edhe pjesëmarrësit paqësorë kishin fjalë të ashpra për udhëheqësit e BE-së: “Ne e marrim si të mirëqenë që ushqimi thjesht do prodhohet. Fermerët nuk mund të vazhdojnë të prodhojnë me humbje,” tha Alice Doyle, një fermere mishi dhe plugimi nga Wexford, Irlandë.

Shpërthimi i pakënaqësisë ka muaj që po gatuhet. Në verë, Komisioni Evropian prezantoi buxhetin e tij bujqësor të rishikuar, me një strukturë të re dhe një shpenzim të garantuar më të ulët për bujqësinë. Komisioni këmbëngul se shifra e re kryesore prej pothuajse 300 miliardë eurosh është një shpenzim minimal, por fermerët nuk janë të bindur.

Lobistët e fermave prisnin që mbjellës dhe blegtorë nga të 27 vendet e BE-së të mblidheshin në Bruksel për mobilizimin më të madh të këtij shekulli, duke koinçiduar me një samit të nivelit të lartë të Këshillit Evropian.

Para barrierave që mbronin Parlamentin Evropian, grumbuj patatesh qëndronin të shpërndara pasi ishin hedhur drejt oficerëve të policisë, sipas mediave belge. Ndërsa fermerët polakë hodhën fishekzjarrë shurdhues drejt ndërtesës së Parlamentit Evropian, zyrtarët u dërguan e-mail stafit duke i këshilluar të qëndronin larg dritareve ndërsa policia po “menaxhonte situatën”.

Përpjekja e Komisionit për të ratifikuar marrëveshjen Mercosur, të cilën fermerët e mishit të gjedhit dhe shpendëve e shohin si kërcënim për bizneset e tyre, i hodhi benzinë zjarrit ndërsa fundi i vitit po afrohet.

“Do të dëshiroja që udhëheqësit e BE-së ta njohin bujqësinë si një vlerë thelbësore të Evropës,” tha Máxime, një fermer i veshur me një bluzë të shoqatës franceze të fermerëve FNSEA. Ndërsa “Place du Luxembourg” po mbushej me tym, policia hodhi gaz lotsjellës drejt turmës para se ai të mund të thoshte mbiemrin e tij.

“Ne duhet ta mbrojmë atë për të siguruar që fermerët tanë të bëjnë një jetë dinjitoze dhe të sigurojmë që ata të mos përballen me konkurrencën ndërkombëtare e cila nuk luan me të njëjtat rregulla,” shtoi ai.

Copa-Cogeca, lobi më i madh i fermave në BE dhe organizatori zyrtar i demonstratës, u përpoq të distancohej nga shkatërrimi në “Place du Luxembourg”, duke vënë në dukje se tubimet e tyre zyrtare u zhvilluan në mënyrë paqësore në pjesë të tjera të Lagjes Evropiane, shkruan Politico.

Protesës i bëri jehonë edhe kryeministri hungarez Orban I cili shkroi se mesazhi I fermerëve është I qartë. Ata nuk mund të pranojnë shkurtim fondesh me 20% ndërkohë që eurot do i dërgohen Ukrainës.

“Mijëra fermerë, përfshirë hungarezët, po i dërgojnë një mesazh Von Der Leyen-it: shkurtimi i subvencioneve bujqësore me 20% dhe dërgimi i parave në Ukrainë është i papranueshëm! Ata kanë të drejtë.” – tha kryeministri hungarez Orban.