Vendosni fjalën kyçe....

5 persona përfundojnë në spital në Klos pasi kafshohen nga qentë endacakë


Një ngjarje shqetësuese është regjistruar në Bashkinë Klos, ku pesë persona kanë përfunduar në spitalin e Klosit pasi janë kafshuar nga qen endacakë.

Sipas burimeve spitalore, të lënduarit kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Banorët shprehen se kjo nuk është hera e parë që përballen me raste të tilla, ndërsa sulmet nga qentë endacakë janë kthyer në një problem serioz dhe të përsëritur për komunitetin.

Sipas burimeve lokale, dyshohet se qentë endacakë sillen nga Bashkia e Bulqizës dhe lëshohen në territorin e Bashkisë Klos, çka ka rritur ndjeshëm rrezikun për qytetarët, raporton Balkanweb.

Situata konsiderohet veçanërisht alarmante për fëmijët e shkollave dhe për të moshuarit, të cilët janë më të ekspozuar ndaj sulmeve.

Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse, duke apeluar për zgjidhje të menjëhershme për menaxhimin e qenve endacakë dhe garantimin e sigurisë së banorëve.