Vendosni fjalën kyçe....

Trump urdhëron bllokadën e cisternave të naftës që hyjnë dhe dalin nga Venezuela


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, urdhëroi të martën vendosjen e një “bllokade” ndaj të gjitha cisternave të naftës që janë nën sanksione dhe që hyjnë ose dalin nga Venezuela, në hapin më të fundit të Uashingtonit për të rritur presionin mbi qeverinë e presidentit Nicolas Maduro, duke goditur drejtpërdrejt burimin kryesor të të ardhurave të vendit.

Ende nuk është e qartë se si Trump synon ta zbatojë këtë masë ndaj anijeve të sanksionuara dhe nëse do t’i kërkojë Rojës Bregdetare amerikane të ndalojë mjetet lundruese, ashtu siç veproi javën e kaluar. Administrata amerikane ka zhvendosur në rajon mijëra trupa dhe afro një duzinë anijesh luftarake, përfshirë edhe një aeroplanmbajtëse.

“Për vjedhjen e pasurive tona dhe për shumë arsye të tjera, përfshirë terrorizmin, trafikun e drogës dhe trafikimin e qenieve njerëzore, regjimi i Venezuelës është shpallur ORGANIZATË TERRORISTE E HUAJ,” shkroi Trump në platformën Truth Social. “Për këtë arsye, sot urdhëroj një BLLOKADË TË PLOTË DHE TË TËRËSISHME TË TË GJITHA CISTERNAVE TË NAFTËS NËN SANKSIONE që hyjnë dhe dalin nga Venezuela.”

Qeveria venezueliane, në një deklaratë zyrtare, reagoi duke e cilësuar vendimin e Trump-it si një “kërcënim grotesk”.

Pas këtij njoftimi, çmimet e naftës u rritën me më shumë se 1% gjatë tregtimit aziatik të mërkurën. Kontratat e së ardhmes për naftën Brent u rritën me 70 cent, ose 1.2%, duke arritur në 59.62 dollarë për fuçi në orën 02:45 GMT, ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate u rrit me 73 cent, ose 1.3%, në 56.00 dollarë për fuçi. Kontratat e së ardhmes për naftën bruto amerikane u rritën mbi 1% në 55.96 dollarë për fuçi pas njoftimit të Trump-it, ndërkohë që çmimet e naftës ishin mbyllur të martën në 55.27 dollarë për fuçi, niveli më i ulët që nga shkurti i vitit 2021.

Aktorë të tregut të naftës thanë se rritja e çmimeve lidhet me pritshmëritë për një ulje të mundshme të eksporteve venezueliane, megjithëse mbetet ende për t’u parë se si do të zbatohet konkretisht bllokada e shpallur nga Trump dhe nëse ajo do të përfshijë edhe anijet që nuk janë nën sanksione.

Edhe pse shumë nga anijet që ngarkojnë naftë në Venezuelë janë nën sanksione, ka edhe të tjera që transportojnë naftën e vendit, si dhe naftë bruto nga Irani dhe Rusia, të cilat nuk janë sanksionuar. Po ashtu, disa kompani, përfshirë gjigantin amerikan Chevron, transportojnë naftë venezueliane përmes anijeve të tyre të autorizuara, shkruan Reuters.

Kina është blerësi më i madh i naftës bruto nga Venezuela, e cila përbën rreth 4% të importeve totale kineze. Analistët vlerësojnë se dërgesat në muajin dhjetor pritet të arrijnë mesatarisht mbi 600,000 fuçi në ditë.

Aktualisht, tregu global i naftës konsiderohet i furnizuar mirë dhe miliona fuçi nafte ndodhen në cisterna pranë brigjeve të Kinës në pritje të shkarkimit. Megjithatë, nëse embargoja vazhdon për një periudhë të gjatë, humbja e gati një milion fuçive në ditë nga furnizimi me naftë bruto ka gjasa të ushtrojë presion në rritje mbi çmimet.

Dy zyrtarë amerikanë thanë se politika e re, nëse zbatohet plotësisht, mund të ketë një ndikim të ndjeshëm dhe të drejtpërdrejtë mbi regjimin e Nicolas Maduro-s.