
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi të mërkurën mbrëma miratimin e një marrëveshjeje të madhe për gazin natyror me Egjiptin, me vlerë 112 miliardë shekelë, ose rreth 35 miliardë dollarë, duke e cilësuar atë si marrëveshjen më të madhe të gazit në historinë e Izraelit.
Në një deklaratë televizive, krah Ministrit të Energjisë Eli Cohen, Netanyahu tha se marrëveshja u arrit me kompaninë amerikane Chevron dhe se ajo u miratua vetëm pasi u garantuan interesat jetike të sigurisë së Izraelit, pa dhënë detaje të mëtejshme. Ai theksoi gjithashtu se marrëveshja parashikon që kompanitë të shesin gaz me një çmim të favorshëm për qytetarët izraelitë.
Nga ana tjetër, autoritetet egjiptiane nuk kanë bërë ende asnjë konfirmim apo deklaratë zyrtare lidhur me këtë marrëveshje. Në shtator, e përditshmja izraelite Israel Hayom raportoi se Netanyahu kishte udhëzuar që marrëveshja e madhe e gazit me Egjiptin të mos avanconte pa miratimin e tij personal, në një klimë tensioni të shkaktuar nga akuzat e Tel Avivit se Kajro kishte shkelur traktatin e paqes përmes vendosjeve ushtarake në Gadishullin e Sinait, akuza që Egjipti i kishte mohuar.
Egjipti dhe Izraeli nënshkruan traktatin e paqes më 26 mars 1979 në Uashington, pas Marrëveshjeve të Camp David të vitit 1978. Marrëveshja parashikonte përfundimin e gjendjes së luftës, normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe, tërheqjen e plotë të forcave ushtarake dhe civilëve izraelitë nga Gadishulli i Sinait dhe ruajtjen e zonës si territor i çmilitarizuar.
Raportet për marrëveshjen aktuale u shfaqën më 7 gusht, kur gazeta Maariv zbuloi se kompania NeëMed Energy kishte nënshkruar një marrëveshje të re për eksportin e gazit drejt Egjiptit nga fusha Leviathan, duke zgjeruar marrëveshjen ekzistuese që është në fuqi që prej vitit 2019 dhe që përfshin 60 miliardë metra kub gaz.
Mediat izraelite raportuan gjithashtu se Egjipti mund t’i drejtohej Katarit për të mbuluar nevojat e tij me gaz në rast se Izraeli nuk do ta miratonte marrëveshjen. Pas këtyre raportimeve, u fol për një ndryshim të qëndrimit të Netanyahut, i cili, sipas mediave izraelite, i kishte dhënë dritën jeshile finalizimit të marrëveshjes së gazit me Egjiptin.
Sipas kushteve të marrëveshjes, partnerët izraelitë do t’i shesin Egjiptit rreth 130 miliardë metra kub gaz natyror deri në vitin 2040, në këmbim të afërsisht 35 miliardë dollarëve. Të drejtat e operimit në fushën Leviathan ndahen mes Noble Energy, e cila zotëron 39.66 për qind dhe u ble nga gjiganti amerikan Chevron në tetor 2020, NewMed Energy Partnership me 45.33 për qind dhe Ratio Oil Exploration me 15 për qind.
Sipas Israel Hayom, blerësi i gazit është kompania egjiptiane e energjisë Blue Ocean Energy (BOE). Kjo marrëveshje i shtohet një serie furnizimesh izraelite me gaz natyror për Egjiptin që janë realizuar gjatë pesë viteve të fundit, shkruan Anadolu Agency.