
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ngritur të hënën një padi prej 10 miliardë dollarësh ndaj transmetuesit publik britanik BBC, duke e akuzuar për shpifje, si dhe për praktika mashtruese dhe të padrejta tregtare.
Padia, e përbërë nga 33 faqe, pretendon se BBC ka transmetuar një përshkrim “të rremë, shpifës, mashtrues, nënçmues, inflamator dhe dashakeq” ndaj Trumpit, duke e cilësuar këtë veprim si “një përpjekje të hapur për të ndërhyrë dhe ndikuar” në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2024.
Sipas padisë, BBC akuzohet se ka “bashkuar qëllimisht dy pjesë krejtësisht të ndara të fjalimit të Trumpit më 6 janar 2021”, për të “keqinterpretuar në mënyrë të qëllimshme kuptimin” e deklaratave të tij.
BBC nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment nga Associated Press. Transmetuesi kishte kërkuar falje muajin e kaluar për mënyrën e montazhit të fjalimit të 6 janarit, por kishte mohuar se kishte kryer shpifje, edhe pas kërcënimeve ligjore nga Trump.
Kryetari i BBC-së, Samir Shah, e kishte quajtur rastin “një gabim gjykimi”, deklaratë që çoi në dorëheqjen e drejtorit ekzekutiv të BBC-së dhe shefit të lajmeve.
Fjalimi në fjalë u mbajt përpara se disa mbështetës të Trumpit të sulmonin Kongresin amerikan, teksa ky po certifikonte fitoren e Joe Bidenit në zgjedhjet e vitit 2020, të cilat Trump ka pretenduar se ishin të manipuluara.
Dokumentari i BBC-së, i titulluar “Trump: A Second Chance?”, u transmetua pak ditë para zgjedhjeve të vitit 2024 dhe përfshinte montazhin e tre citimeve nga dy pjesë të ndryshme të fjalimit të vitit 2021, të mbajtura gati një orë larg njëra-tjetrës, duke krijuar përshtypjen se Trump u kishte bërë thirrje mbështetësve të marshonin me të dhe të “luftonin me çdo kusht”. Në montazh ishte hequr pjesa ku Trump u kërkonte mbështetësve të protestonin në mënyrë paqësore.
“Po e padis BBC-në për vendosjen e fjalëve në gojën time”, deklaroi Trump më herët të hënën gjatë një paraqitjeje në Zyrën Ovale, duke shtuar se transmetuesi kishte lënë jashtë deklarata që, sipas tij, flisnin për patriotizëm dhe kishte përfshirë fjalë që ai nuk i kishte thënë.
Padia është depozituar në Florida, ndërsa afatet për ndjekje ligjore në gjykatat britanike kanë përfunduar më shumë se një vit më parë. Ekspertë ligjorë kanë ngritur pikëpyetje mbi sfidat e çështjes në SHBA, duke qenë se dokumentari nuk është transmetuar drejtpërdrejt në territorin amerikan.
Padia argumenton se publiku në SHBA mund të ketë akses në përmbajtjen origjinale të BBC-së, përfshirë dokumentarin, përmes platformës BritBox.