
Kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht pasi Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i është drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me kërkesë për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku dhe autorizimin për arrestimin e saj, në cilësinë e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në një reagim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ka shprehur kritika të forta ndaj praktikës së arrestit pa gjyq, si në burg ashtu edhe në arrest shtëpie, duke e cilësuar këtë fenomen si një zhvillim shqetësues për standardet demokratike të vendit.
“Që arrestet pa gjyq, në daç në shtëpi e në daç me burg, janë bërë një modë e vrazhdë në Shqipëri, e që Shqipëria është bërë një vend me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur, një fakt i turpshëm pa asnjë lidhje me standardet demokratike europiane – kjo dihet botërisht”, shkruan Rama.
Kryeministri thekson se kjo situatë ka ngritur shqetësime serioze edhe në Këshillin e Europës, duke nënvizuar se praktika e paraburgimeve nuk duhet të zëvendësojë procesin e rregullt gjyqësor.
Rama i referohet gjithashtu një vendimi të fundit të Gjykatës Kushtetuese, e cila, sipas tij, ka rrëzuar pezullimin antikushtetues të një anëtari të qeverisë, duke e cilësuar kërkesën e re të SPAK për arrestimin e Ballukut si një zhvillim të ndodhur menjëherë pas këtij vendimi.
“Pa u tharë ende boja e vendimit të Kushtetueses, prokurori në fjalë i kërkon Kuvendit autorizimin për të arrestuar zv.kryeministren – me burg ose në shtëpi”, shprehet Rama.
Reagimi i plotë i kryeministrit Edi Rama:
Pasi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin antikushtetues dhe antidemokratik të një anëtari të qeverisë, pa u tharë ende boja e vendimit të Kushtetueses, prokurori në fjalë i kërkon Kuvendit, autorizimin për të arrestuar zv.kryeministren – me burg ose në shtëpi.
Që arrestet pa gjyq, në daç në shtëpi e në daç me burg, janë bërë një modë e vrazhdë në Shqipëri, e që Shqipëria është bërë një vend me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur – një fakt i turpshëm pa asnjë lidhje me standartet demokratike europiane – gjë që ka shqetësuar seriozisht edhe Këshillin e Europës, kjo dihet botërisht.
Por sigurisht që në rastin në fjalë, ne s’mund dhe s’do ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special, por duke qenë se ndryshe nga proceset e tjera, ku ne si rregull s’flasim për përmbajtjen e çështjeve, këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi.