
Studiuesja Alda Bardhyli deklaroi në emisionin Real Story se Ministria e Kulturës po punon për zerimin e taksës mbi librin, një masë që pritet të ndikojë pozitivisht te botuesit dhe te qarkullimi i librit në vend. Sipas saj, heqja e taksës do të ishte një mbështetje e rëndësishme për një sektor me peshë kulturore dhe arsimore.
Bardhyli ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e librarive dhe bibliotekave në shumicën e qyteteve të Shqipërisë, duke përfshirë edhe Gjirokastrën, fakt që sipas saj ndikon negativisht në aksesin e publikut te libri.
Ajo bëri të ditur se po ndërmerren hapa për integrimin e gjuhës shqipe në platforma digjitale ndërkombëtare si App Store dhe Amazon. Po ashtu, përmes ndryshimeve në ligjin për librin, është parashikuar që çdo botim i ri nga viti 2025 të ketë edhe kopje dixhitale në fondin e Bibliotekës Kombëtare, e cila do të jetë e aksesueshme falas për lexuesit në biblioteka.
Sipas Bardhylit, rrjeti i bibliotekave të lagjeve në Tiranë dhe zhvillimi i librit dixhital mund të lehtësojnë aksesin e lexuesve, ndërsa libri shqip mbetet ende pak i digjitalizuar dhe me prani të kufizuar në platformat elektronike.