Vendosni fjalën kyçe....

Militantët serbë që luftojnë për Rusinë në Ukrainë nxisin frikën për tensione në Ballkan


Dario Ristic, djathtas, merr pjesë në luftimet në vijat e frontit të Ukrainë

Një brez i ri i nacionalistëve etnikë serbë po përgatitet për një luftë në Bosnjë, shkruan The Telegraph.

Qindra militantë kanë udhëtuar në Ukrainë për të luftuar përkrah trupave ruse me besimin se “Nëna Rusi” do t’ua shpërblejë duke i ndihmuar të rimarrin territoret e humbura serbe si Kosova.

Nacionalistët, duke përfshirë veteranë nga Lufta e Bosnjës, po përdorin mediat sociale për të nxitur serbët e rinj t’u bashkohen atyre në Rusi. Disa po ofrojnë 25,000 euro që ata të regjistrohen dhe të luftojnë në Ukrainë.

Ekziston frika se sapo të kthehen në Bosnjë, ata do nxisin një konflikt paramilitar, 30 vjet pasi mbaroi Lufta e Bosnjës.

Dario Ristic është një rast i tillë. Nacionalisti serb, duke çaluar me një këmbë protetike dhe duke mbajtur dëshmi të shtetësisë së tij të sapofituar, u kthye në Bosnjë. Ai ishte plagosur ndërsa luftonte në Ukrainë me një njësi ruse të njohur si Arinjtë nga Perm (the Bears from Perm).

Ndërsa ishte në Ukrainë, Ristic njihej me emrin e luftës “speedy” (i shpejti) dhe për kryerjen e sulmeve me snajperë dhe dronë në qytete si Avdiivka.

Ai përmirësoi aftësitë e tij në mediat sociale në faqe si TikTok dhe rrjeti rus Vkontakte, duke nxitur mbështetje nga serbët e rinj të pakënaqur politikisht në vendin e tij, duke reklamuar luftimin në vijën e frontit dhe duke përhapur mesazhe nacionaliste.

Njësia e tij ruse madje dërgoi një kartolinë ditëlindjeje për Ratko Mlladiç, kriminelin e luftës i cili po merr kujdes paliativ në Hagë, ku u dënua me burgim të përjetshëm për mizoritë e kryera kundër myslimanëve të Bosnjës.

Në një video të postuar në Telegram, Ristic pozoi pranë një serbi tjetër i cili informoi ndjekësit e tij në shtëpi: “Pasi të mbarojmë me fashistët s NATO-s këtu, ne do kthehemi për të rimarrë tokat tona të shnjeta dhe atë që është e jona. Lavdi Zotit, lavdi Nënës Rusi – drejt fitores!”

Pas kthimit në shtëpi, Ristic u arrestua në aeroportin e Sarajevës për bashkim me një njësi të huaj paramilitare, por që atëherë është liruar nga burgu dhe është vendosur në arrest shtëpie në pritje të përfundimit të gjyqit të tij.

Kur The Telegraph kontaktoi Ristic në shtëpinë e tij në Modrica, ai tha nga pragu i shtëpisë: “Do doja të flisja me ju. Por më është ndaluar me ligj të flas me ju, por ndoshta në të ardhmen.”

Edhe tani, larg frontit, ai ende konsiderohet një rrezik i madh rekrutimi me më shumë se 10,000 ndjekës në internet.

Dhe ai bashkohet në internet me nacionalistë të tjerë serbë që po përpiqen të përhapin mesazhin e tyre.

Është kryesisht një grup veteranësh që luftuan në Luftën e Bosnjës, të cilët vijojnë të përhapin ideologji përçarëse te rinia.

Modrica, qyteti i lindjes së Ristic në Serbi

“Është një besim i zakonshëm midis këtyre ekstremistëve se Nëna Rusi një ditë do t’u shlyejë borxhin në gjak duke ndihmuar në rivendosjen e Serbisë së Madhe,” tha Srecko Latal, një analist në rajon.

“Numrat e tyre janë të vegjël, por ata ndihmojnë në tërheqjen e serbëve të tjerë të rinj të pakënaqur që mund të jenë të prekshëm nga mesazhet nacionaliste.”

Një veteran i shquar me një ndikim paternalist mbi luftëtarët e rinj, duke përfshirë Ristic, është Davor Savicic, i njohur si “ujku” nga ndjekësit e tij në internet.

Gjatë luftërave jugosllave të viteve 1990, ai luftoi në një njësi paramilitare elitare të njohur si Tigrat e Arkanit, e cila ishte përgjegjëse për dhjetëra mizori të kryera kundër civilëve. Kur Rusia sulmoi Ukrainën, ashtu si veteranë të tjerë serbë, Savicic u bashkua shpejt me ta. Ai ka luftuar në Krime dhe Siri dhe ishte pjesë e Grupit Wagner, tashmë të shpërbërë.

Ristiç u arrestua në aeroportin e Sarajevës për bashkim me një njësi paraushtarake të huaj

Pas trajtimit të tij të fundit pasi u plagos nga forcat ukrainase, raportet mjekësore të zbuluara treguan se ai ishte gjithashtu Kolonel në GRU-në e frikshme, e njëjta njësi ruse e inteligjencës përgjegjëse për sulmin Novichok të kryer në Britani në vitin 2018 ndaj Sergei Skripal.

Nën drejtimin e tij, GRU ka krijuar një sërë kompanish në sektorë si ndërtimi, me qëllim që të ndihmojë serbët dhe vullnetarët e tjerë t’i shmangen zbulimit nga autoritetet e tyre, duke lëshuar leje pune dhe duke organizuar itinerare udhëtimi përmes vendeve të treta.

“Ne u infiltruam në disa nga shërbimet e tyre të mesazheve duke u paraqitur si vullnetarë,” tha Nino Bilajac, një gazetar investigativ nga Sarajeva.

“Paratë në ofertë janë rritur pasi humbjet në fushën e betejës e bëjnë Rusinë më të dëshpëruar për luftëtarë të rinj, dhe së fundmi më ofruan një pagesë paraprake ekuivalente me rreth 25,000 euro për regjistrim, dhe një pagë mujore prej pothuajse 2,500 eurosh”

Ristic i përsosi aftësitë e tij në faqet e mediave sociale dhe në rrjetin rus Vkontakte

Për të rinjtë e rritur në familje nacionaliste dhe që jetojnë në qytete si Modrica me papunësi të lartë dhe paga deri në 650 euro në muaj, tërheqja është më se e qartë. Ligjet si në Serbi ashtu edhe në Bosnjë e ndalojnë luftimin për një fuqi të huaj, dhe dënimet mund të shkojnë deri në pesë vjet, por zbatimi është i rrallë.

Kur The Telegraph kontaktoi Zelko Tomic, një mik i Ristic që është ende në vijat e frontit të Ukrainës, përmes mediave sociale, ai tha se do jepte një intervistë vetëm për një tarifë prej 120,000 eurosh.

Kthyer në Modrica, ku punëdhënësi më i madh është një rafineri nafte në pronësi ruse që tani po has vështirësi për shkak të sanksioneve, një vendas që kalonte aty dhe e njihte Ristic tha se ai ishte mburrur me pensionin e tij të paaftësisë së veteranit nga Moska, dhe po planifikonte të përdorte një pjesë të parave për të hapur një qendër trajnimi dhe një punishte riparimi për dronë, duke përdorur njohuritë e tij nga fronti.

Megjithatë, kthimi i Ristic në jetën civile, do t’i japë pak ngushëllim pakicës myslimane boshnjake të qytetit. Jo shumë larg shtëpisë së tij, thirrja e muezinit për namaz kumbon nga një xhami e rindërtuar pas gjakderdhjes së luftërave boshnjake. Një nga ata që merrnin pjesë ishte Edib Zilić, i cili dëshmoi shumë nga mizoritë si fëmijë.

“Isha vetëm 10 vjeç kur tanket u futën dhe babai im u vra, dhe vëllai im pothuajse u vra kur shtëpia e fqinjit tonë, pikërisht atje, u hodh në erë,” tha Zilić, 43 vjeç, duke treguar një zonë banimi përballë xhamisë.

“Në disa vende viktimat ende duhet të ndeshen me autorët, dhe edhe sot, pavarësisht të gjitha miqësive të rivendosura, ka ende një pakicë ekstremistësh që duan të na frikësojnë dhe duan të na kthejnë në ato kohë të këqija, por ne refuzojmë të jetojmë në frikë.”

Ajo që është shqetësuese, duket se ka shenja të bashkëpunimit shtetëror. Milorad Dodik, ish-presidenti i Republika Srpska i cili ende ushtron pushtet efektiv, u fotografua me “Ujkun”, Davor Savicic, përpara një takimi me Vladimir Putinin në Moskë në fillim të këtij viti.

Ka gjithashtu frikë se trajnimi paramilitar në enklavën e mbështetur nga Rusia mund të ndikojë në sigurinë britanike. Ashtu si Gjermania Lindore dikur ishte një terren trajnimi për IRA-n dhe Fraksionin e Ushtrisë së Kuqe, ka frikë se Republika Srpska mund të ndjekë një rrugë të ngjashme. Dëshmitë e dëshmitarëve nga një gjyq kundër sabotatorëve në Moldavi kanë zbuluar se ajo u përdor së fundmi si një bazë trajnimi për luftën hibride të mbështetur nga Rusia kundër Perëndimit.

Trajnimi përfshinte metoda për kthimin e protestave paqësore në trazira të dhunshme, dhe trajnim në përdorimin e dronëve të paarmatosur dhe të armatosur për të prishur infrastrukturat civile dhe ushtarake.

Këto metoda të njëjta janë përdorur tashmë në aeroporte dhe vende të ndjeshme në Mbretërinë e Bashkuar dhe në të gjithë Evropën, disa prej të cilave përfshinin gjithashtu sabotatorë moldavë, ndoshta të trajnuar në enklavën serbe.