
Policia e Shkodrës ka arrestuar dy të rinj dhe ka proceduar penalisht pesë të mitur në lidhje me sherrin e dhunshëm të ndodhur mesditën e djeshme në afërsi të gjimnazit “Shejnaze Juka”.
Sipas policisë, konfliktit fizik i ndodhur për motive të dobëta në lagjen “Kongresi i Përmetit” i janë bashkuar disa të rinj, ku si pasojë dy të mitur 17-vjeçarë kanë pësuar dëmtime të lehta.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve, një 17-vjeçari iu gjet një sasi e dyshuar lënde narkotike kanabis, e cila u sekuestrua, dhe ndaj tij nisi procedimi penal në gjendje të lirë.
Njoftimi:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër arrestuan shtetasit K. Th., 24 vjeç, dhe D. K., 19 vjeç, dhe filluan procedimin penal për pesë shtetas të mitur (4 prej tyre 17-vjeçarë dhe një 16-vjeçar).
Këta shtetas, në rrugë, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin dhe si pasojë, kanë pësuar dëmtime të lehta dy shtetas të mitur 17-vjeçarë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të rastit. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin e mitur 17-vjeçar, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen V. D., 59 vjeçe, pasi nga kontrollet e kryera në bashkëpunim me shërbimet e OSHEE-së, në banesën e saj u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.