Vendosni fjalën kyçe....

Hysen Kadiu i përgjigjet Berishës: Demokratët kanë nevojë për bashkim, jo për përçarje


Hysen Kadiu, ish-kryetari i Partisë Demokratike në Kavajë, ka reaguar publikisht pas akuzave të bëra ndaj tij në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, ku u pretendua se gjatë fushatës së zgjedhjeve të 11 majit ai kishte punuar për Edi Ramën dhe nuk kishte dhënë kontribut për Partinë Demokratike.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kadiu, një nga kandidatët më të votuar në procesin e Primareve, mohoi akuzat dhe theksoi se angazhimi i tij gjatë fushatës është i dokumentuar publikisht.

Sipas tij, aktiviteti politik dhe takimet me qytetarët janë të pasqyruara hapur në profilin e tij në Facebook dhe dëshmohen edhe nga vetë qytetarët e Kavajës dhe zonave përreth.

“I them doktor Berishës dhe të gjithë atyre që i rrinë afër dhe e kanë keqinformuar, se aktiviteti im gjatë fushatës është publik në Facebook-un tim. Këtë e dëshmojnë edhe qytetarët e Kavajës dhe zonave përreth, me të cilët kemi qenë në kontakte dhe takime të vazhdueshme, si gjatë fushatës ashtu edhe para e pas saj”, shkruan Kadiu.

Ai thekson se beteja e tij politike nuk është me Partinë Demokratike apo me demokratët, por me kryeministrin Edi Rama, duke shtuar se sulmet ndaj kontributit të tij dhe të të tjerëve synojnë interesa personale.

“Beteja jonë nuk është me PD-në dhe demokratët, por me Edi Ramën. Çdokush që përpiqet të hedhë baltë mbi kontributin tim personal dhe të atyre që duan më të mirën për PD-në, janë të interesuar vetëm për karrigen e tyre”, shprehet ai.

Në reagimin e tij, Kadiu bën thirrje për unitet brenda Partisë Demokratike, duke theksuar se situata aktuale kërkon bashkim dhe riorganizim, e jo përçarje dhe krijim të “armiqve të brendshëm”.

“Demokratët kanë sot më shumë se kurrë nevojë për bashkim dhe jo për përçarje, për organizim dhe jo për ‘armiq të brendshëm’. Asgjë e keqe nuk i vjen PD-së nga kritikat dhe riorganizimi”, përfundon Kadiu.