Vendosni fjalën kyçe....

Trump: SHBA ka sekuestruar një cisternë nafte pranë Venezuelës



Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi të mërkurën se forcat amerikane kanë sekuestruar një cisternë të madhe nafte pranë brigjeve të Venezuelës. “Kemi sekuestruar një cisternë, shumë të madhe, më të madhen ndonjëherë,” tha Trump nga Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se veprimi është bërë “për një arsye shumë të mirë”. Pa dhënë detaje të mëtejshme, ai u pyet se çfarë do të ndodhë me naftën e kapur dhe u përgjigj shkurt: “E mbajmë ne, besoj.”

Prokurorja e përgjithshme Pam Bondi publikoi një video në X, ku dukeshin forcat amerikane duke hipur në bord të cisternës.

Qeveria e Venezuelës reagoi ashpër, duke akuzuar Uashingtonin për “vjedhje të hapur” dhe “akt piraterie ndërkombëtare”. Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme e Venezuelës u shpreh se vendi “do të mbrojë sovranitetin, burimet natyrore dhe dinjitetin kombëtar me vendosmëri të plotë”. Karakasi njoftoi gjithashtu se do të denoncojë këtë veprim në instanca ndërkombëtare, përcjell DW.

Sekuestrimi i cisternës vjen në një moment tensioni të shtuar mes administratës Trump dhe regjimit të presidentit venezuelian Nicolas Maduro. Mediat amerikane raportojnë se cisterna, e identifikuar si Skipper, po transportonte naftë të kompanisë shtetërore PDVSA. Ende nuk dihet nën cilin flamur udhëtonte mjeti lundrues.

Lëvizja e fundit vjen pak ditë pasi SHBA ka rritur ndjeshëm praninë ushtarake në Karaibe, ka kryer goditje kundër mjeteve të dyshuara të trafikut të drogës dhe ka vendosur një flotë të madhe luftanijesh, përfshirë aeroplanmbajtësen USS Gerald R. Ford, më e madhja në botë.

Trump ka paralajmëruar më herët se “ditët e Maduros janë të numëruara”, duke mos përjashtuar as një ndërhyrje tokësore në Venezuelë.

Venezuela ka rezervat më të mëdha të provuara të naftës në botë dhe prodhon rreth 1 milion fuçi në ditë. Por sanksionet e ashpra të SHBA-së e kanë nxjerrë vendin jashtë tregjeve ndërkombëtare, duke e detyruar të shesë shumicën e naftës me çmim të ulët, kryesisht drejt Kinës.

Megjithatë, pavarësisht presionit amerikan, eksportet e naftës së Venezuelës janë rritur këtë vit. Sekuestrimi i cisternës shënon ndërhyrjen e parë të drejtpërdrejtë të SHBA-së në rrjedhën e eksporteve të vendit.

Presidenti Maduro akuzoi SHBA-në për ndërhyrje dhe tentativë për ndryshim të regjimit. “Kërkojmë fundin e ndërhyrjes ilegale dhe brutale të qeverisë amerikane në Venezuelë dhe Amerikën Latine,” tha ai.

Maduro shtoi se SHBA duhet “të fokusohet te qeverisja e vendit të vet” dhe jo të synojë kapjen e rezervave të naftës venezueliane.

Ngjarja pritet të thellojë më tej tensionet mes dy vendeve, ndërsa vëmendja ndërkombëtare mbetet e përqendruar te lëvizjet politike dhe ushtarake në Karaibe.