
Në seancën plenare të sotme, Partia Demokratike, përmes fjalës së deputetes Jorida Tabaku, kërkoi rrëzimin e nismës së mazhorancës për të proceduar me zgjedhjen e Avokatit të Popullit pa pritur kandidaturat zyrtare të opozitës dhe pa respektuar procedurat kushtetuese.
Tabaku deklaroi se procesi i ndërmarrë nga mazhoranca është i paligjshëm, i njëanshëm dhe bie ndesh me Progres-Raportin e Komisionit Europian, i cili kërkon që emërimet në institucionet e pavarura të bazohen në meritokraci, transparencë dhe kritere të qarta.
“Sot nuk ka asnjë dokument zyrtar të opozitës që të justifikojë nisjen e procedurës së votimit. Kjo seancë nuk ka çfarë të votojë. Mazhoranca po përpiqet të zgjedhë e vetme një institucion që kërkon konsensus,” – u shpreh Tabaku.
Deputetja demokrate theksoi se Avokati i Popullit nuk është një emër që mund të vendoset nga njëra palë politike, pasi ky institucion ka rol kyç në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe në përzgjedhjen e anëtarëve të institucioneve të drejtësisë si KLP dhe KLGJ.
“Nuk ka asnjë standard demokratik ku mazhoranca propozon vetë drejtuesit e SPAK, Gjykatës Kushtetuese, Bankës së Shqipërisë, dhe tani edhe Avokatin e Popullit. Kjo shkel çdo parim të kontrollit dhe balancës,” – theksoi Tabaku.
Ajo bëri të ditur se PD ka njoftuar zyrtarisht gatishmërinë për të paraqitur kandidaturat e saj, por vetëm brenda një procedure të pastër dhe ligjore.
Sipas saj, Komisioni Europian ka sqaruar se nuk është data ajo që ka rëndësi, por procedura e drejtë dhe konsensuale, duke kundërshtuar nxitimin e mazhorancës.
“Ne kërkojmë sot rrëzimin e kësaj kërkese të mazhorancës dhe rikthimin e procesit në hullinë kushtetuese. Nuk mund të votohet një vendim që nuk ekziston dhe nuk mbështetet nga firmat e Grupit Parlamentar të PD,” – deklaroi Tabaku.
Ajo paralajmëroi se një votim i njëanshëm do të krijonte një tjetër ngërç kushtetues dhe mund të përfundonte në Gjykatën Kushtetuese.
Në përfundim, Tabaku kërkoi që Kuvendi të veprojë me standarde dhe përgjegjësi:
“Le t’i japim Shqipërisë një Avokat Populli të zgjedhur përmes një procedure të ligjshme, transparente dhe me mbështetje të gjerë, jo një emër të komanduar nga mazhoranca.”