
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka dhënë një paralajmërim të fortë gjatë një fjalimi në Berlin, duke deklaruar se Rusia po synon drejtpërdrejt aleancën dhe se Europa tashmë ndodhet “në rrezik real”.
Duke hapur fjalën e tij në selinë e Përfaqësisë së Bavarisë, në një aktivitet të organizuar nga Konferenca e Sigurisë së Mynihut, Rutte tha:
“Jam këtu sot për të thënë ku ndodhet NATO dhe çfarë duhet të bëjmë për të ndalur një luftë para se të nisë. Dhe për ta bërë këtë, duhet të jemi plotësisht të qartë për kërcënimin: ne jemi shënjestra e radhës së Rusisë dhe tashmë jemi në rrezik.”
Rutte paralajmëroi se pavarësisht angazhimeve të marra në samitin e Hagës për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, vendet anëtare nuk duhet të bien në vetëkënaqësi, përcjell The Guardian.
“Frikësohem se shumë po bëhen të vetëkënaqur. Shumë nuk e ndjejnë urgjencën. Dhe shumë besojnë se koha është në anën tonë. Nuk është. Koha për veprim është tani.”
Ai tha se Rusia është bërë “edhe më e guximshme, më e pamëshirshme dhe më e rrezikshme” si ndaj Ukrainës, ashtu edhe ndaj NATO-s.
Rutte përmendi edhe paralajmërimin e ish-presidentit amerikan Ronald Reagan për “impulset agresive të një perandorie të së keqes”, duke thënë se Presidenti rus Vladimir Putin “është sërish në biznesin e ndërtimit të perandorisë”.
Në fjalimin e tij, shefi i NATO-s u ndal edhe te roli i fuqive të tjera:
“Në këtë ofensivë, Kina është shpëtimi ekonomik i Rusisë, ndërsa Koreja e Veriut dhe Irani e mbështesin me armë dhe teknologji.”
Ai theksoi se Perëndimi duhet të ruajë presionin ndaj Moskës dhe të mbështesë përpjekjet e vërteta diplomatike për t’i dhënë fund luftës.
Në një deklaratë që ka tërhequr vëmendje, Rutte lavdëroi Donald Trump për rolin e tij:
“Ai është i vetmi që mund ta ulë Putinin në tryezën e negociatave.”
Por shtoi:
“Le ta vëmë Putinin në provë. Le të shohim nëse vërtet do paqe apo nëse preferon që masakra të vazhdojë.”
Fjalimi i Rutte-s u dha paralelisht me zhvillimet e tjera europiane, përfshirë diskutimet mbi asetet e ngrira ruse, rritjen e tensioneve në kufijtë lindorë dhe presionin gjithnjë e më të madh që Europa të rrisë kapacitetet e saj të mbrojtjes.