
Kuvendi zhvillon sot seancën e radhës plenare, ku priten dy interpelanca të rëndësishme, shqyrtimi i projektligjeve për buxhetin 2026 dhe paketën fiskale, si edhe zgjedhja e Avokatit të Popullit.
Seanca nis me interpelancën me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, të kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, në lidhje me projektin për restaurimin dhe rikualifikimin urban të zonës TID në Durrës. Më pas do të zhvillohet interpelanca e kërkuar nga deputeti i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, me Kryeministrin Edi Rama, lidhur me prishjen e ndërtimeve pa vendime të formës së prerë dhe pa respektuar procedurat ligjore.
Pas interpelancave, Kuvendi pritet të shqyrtojë një sërë projektligjesh që lidhen me paketën fiskale dhe buxhetin e vitit 2026, përfshirë ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore, tatimin mbi vlerën e shtuar, tatimin mbi të ardhurat, sistemin e taksave vendore, faturimin dhe monitorimin e qarkullimit, marrëveshjen e paqes fiskale, rivlerësimin e pasurive të paluajtshme dhe fshirjen e detyrimeve tatimore.
Ndër projektligjet e rendit të ditës është edhe ai “Për buxhetin e vitit 2026”, si dhe projektligji “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, projektligji “Për gjuetinë”, ndryshimet në ligjin “Për ndryshimet klimatike” dhe ligjin për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse.
Kuvendi pritet gjithashtu të zhvillojë procedurën për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, që kërkon shumicë të cilësuar prej tre të pestave të anëtarëve të Kuvendit. Po ashtu, deputetët do të votojnë një ndryshim në vendimin për ngritjen e Nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik në përbërje të Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat.
Në rendin e ditës përfshihet edhe mocioni me debat për gjetjet dhe rekomandimet e raportit final të OSBE-ODIHR-it mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Debati 150-minutësh do të ndahet proporcionalisht mes grupeve parlamentare, ku Partia Socialiste ka 89 minuta, Partia Demokratike 38 minuta, ndërsa grupet më të vogla dhe deputetët jashtë grupeve kanë nga 8 minuta secili.
Në përfundim të seancës, deputetët do të kenë mundësinë të mbajnë diskutime për çështje jashtë rendit të ditës, me një kohë totale të parashikuar deri në 60 minuta.