Vendosni fjalën kyçe....

KLP nis intervistat për kreun e ri të SPAK, Adnan Xholi hap seancën dëgjimore



Ka nisur mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), ku do të zgjedhet kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), pas përfundimit të mandatit të Altin Dumanit.

Në garë për këtë post janë katër kandidatë: Klodian Braho, Doloreza Musabelliu, Adnan Xholi dhe Elvin Gokaj. Sipas rendit alfabetik të intervistave, seanca dëgjimore ka nisur me prokurorin e SPAK, Adnan Xholi, i cili gjatë prezantimit të tij ka përmbledhur eksperiencat dhe kualifikimet që e bëjnë sipas tij të përshtatshëm për këtë pozicion të rëndësishëm.

“Ashtu siç ishte planifikuar, në orën 09.00 nisi seanca dëgjimore me secilin prej tyre. SPAK ndodhet në një periudhë të rëndësishme konsolidimi, ku implementimi i strategjive të institucionit lidhet drejtëpërdrejtë me luftën pa kompromis të korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe krimit të organizuar,” u shpreh Xholi.

Ai shtoi: “Vlerësoj të gjithë kandidatët dhe pavarësisht rezultatit të sotëm, do t’i mbështes në punën e tyre. Punën e kemi me njëri-tjetrin dhe ata janë familja ime në sistemin e drejtësisë. Ka ardhur koha për hetime cilësore në kohë të shpejtë për të goditur kriminalitetin me hetime penale dhe pasurore.”

Intervistat e kandidatëve do të zhvillohen secili për 45 minuta, ndërsa KLP pritet të përmbyllë procesin me vendimin për kreun e ri të SPAK.