
Komisioni Europian ka miratuar një paketë ndihme për ndërtimin dhe funksionimin e centralit të parë bërthamor të Polonisë, duke e vlerësuar projektin si në përputhje me rregullat e BE-së për ndihmën shtetërore. Qeveria polake ka siguruar tashmë fondet për investimin, i cili pritet të kushtojë rreth 192 miliardë zloty, përcjell Euronews.
Sipas autoriteteve në Varshavë, shteti do të kontribuojë me rreth 14 miliardë euro, ose 30% të kostos totale të projektit. Gjatë muajit dhjetor, 4.6 miliardë zloty (1.9 miliardë euro) do t’i akordohen kompanisë që po udhëheq ndërtimin.
Centrali do të ndërtohet në Choczewo, në veri të vendit, pranë Detit Baltik, dhe konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme të tranzicionit energjetik të Polonisë. Sipas qeverisë, energjia bërthamore pritet të jetë më e lirë se alternativat aktuale dhe të garantojë një sistem të qëndrueshëm e miqësor ndaj mjedisit.
Investimi po zbatohet nga kompania Polskie Elektrownie Jądrowe (PEJ), e cila sipas një ndryshimi ligjor të vitit 2025 do të marrë deri në 60.2 miliardë zloty mbështetje publike deri në vitin 2030.
Kryeministri Donald Tusk tha se ndërtimi mund të nisë që në muajin dhjetor. “Fillimi i punimeve ishte kushti më i rëndësishëm dhe jo aspak i lehtë për t’u siguruar,” u shpreh ai.
Polonia po bashkëpunon me kompanitë amerikane Westinghouse dhe Bechtel për realizimin e projektit. Sipas planit, betoni bërthamor për reaktorin e parë do të hidhet në vitin 2028. Centrali do të ketë tre reaktorë AP1000, secili me kapacitet 1,250 MWe.
– Njësia e parë pritet të përfundojë në 2035,
– të lidhet me rrjetin në 2036,
– ndërsa njësia e tretë do të vihet në punë deri në 2038.
Interesi për financimin është i lartë: në tetor, nënkryetari i PEJ-it, Piotr Piela, njoftoi se 30 banka komerciale ndërkombëtare kanë shprehur interes paraprak.
Parashikimet për vitin 2040 tregojnë se centrali do të funksionojë me rreth 88.5% kapacitet, duke siguruar energji të qëndrueshme dhe të besueshme për Poloninë dhe sektorin industrial për shumë vite.